Aplikacion
Prej dy ditësh, Durrësi është nën ujë. Një nga zonat më problematike është ajo e Kënetës, ku janë përmbytur rrugë e shtëpi.
Për shkak të situatës së rëndë, dhjetëra banorë dolën në protestë këtë të mërkurë. Sipas tyre, uji ka pushtuar oborret dhe ambientet e brendshme të banesave, ndërsa mungon çdo reagim konkret nga institucionet përgjegjëse.
Banorët thonë se gjendja është përkeqësuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit, pasi kanalet kulluese janë të bllokuara dhe nuk po kryhet asnjë ndërhyrje për largimin e ujit. Si pasojë, niveli i ujit ka arritur deri në rreth 30 centimetra, duke shkaktuar dëme materiale dhe vështirësi serioze për jetesën e përditshme.
Qytetarët akuzojnë bashkinë e Durrësit për neglizhencë dhe mungesë reagimi, duke theksuar se prej ditësh nuk është marrë asnjë masë për normalizimin e situatës. Ata shprehen se janë lënë të izoluar dhe pa ndihmë.
“Uji nuk po largohet, askush nuk ka ardhur të shohë nga afër çfarë po ndodh. Jemi të bllokuar dhe të lënë në mëshirë të fatit”, deklaroi një prej banorëve gjatë protestës.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për hapjen e kanaleve kulluese, largimin e ujit nga banesat dhe verifikimin e dëmeve të shkaktuara, duke paralajmëruar se protesta do të vijojë nëse institucionet nuk reagojnë./ Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari