Aplikacion
Rreth 400 pasagjerë të dy fluturimeve të kompanisë ajrore Wizz Air, që udhëtonin nga Bolonja dhe Bergamo drejt Tiranës, janë përballur me një situatë kaotike gjatë natës, pasi avionët e tyre u detyruan të uleshin në aeroportin e Brindisit për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike në Shqipëri.
Avionët kanë prekur pistën në Brindisi rreth orës 03:00 të mëngjesit të 7 janarit, por pasagjerët mbetën për orë të tëra pa asnjë informacion të qartë mbi vazhdimin e udhëtimit. Mungesa e komunikimit nga kompania ajrore ka nxitur zemërim dhe protesta, të cilat me kalimin e kohës u përshkallëzuan.
Sipas raportimeve të mediave italiane, një grup pasagjerësh ka thyer portat e sigurisë dhe ka kaluar kordonët mbrojtës, duke dalë në pistën e aeroportit, vetëm pak metra larg avionëve të bllokuar. Situata u konsiderua me rrezik të lartë, duke detyruar autoritetet aeroportuale të ndërhyjnë menjëherë.
Në aeroport u angazhuan forca të shumta sigurie, përfshirë policinë, karabinierët dhe efektivët e Guardia di Finanza, të cilët arritën të rivendosin rendin dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Megjithatë, pasagjerët vijojnë të jenë të pasigurt për fatin e udhëtimit të tyre. Disa prej tyre kanë pranuar ofertën për t’u transportuar me autobus drejt aeroportit të Fiumicinos, nga ku do të tentojnë të udhëtojnë drejt Tiranës me fluturime të tjera. Ndërkohë, po shqyrtohet edhe mundësia që rreth 150 pasagjerë të udhëtojnë me traget nga Brindisi drejt Vlorës gjatë pasdites.
Protestat vijojnë ende nga një pjesë e udhëtarëve, të cilët kërkojnë nisje të menjëhershme drejt Shqipërisë, ndërsa aeroporti i Brindisit mbetet nën masa të shtuara sigurie. Deri në këto momente, autoritetet bëjnë me dije se ngjarja nuk ka shkaktuar vonesa në fluturimet e tjera hyrëse apo dalëse./ Zoom.al