Aplikacion
Ka më shumë gjasa ta takosh Edi Ramën në ndonjë event mode në Dubai apo në Paris sesa në Durrës, Gjirokastër apo Lezhë.
Dhe ka më shumë probabilitet që në rrjetet e tij sociale të shohësh foto të ndonjë vendi me dëborë sesa përmbytjet masive në Durrës, Lezhë e Gjirokastër.
Durrësi u mbulua nga uji. Gjirokastra gati u shemb mbrëmë dhe Lezha u përmbyt sërish. Akuzat flasin për prishjen e hidrovorit të vjetër dhe ndërtimin gabim të të riut, një investim strategjik që funksionon vetëm në postimet e propagandës. Në terren, propaganda nuk pi ujë.
Por teksa mijëra qytetarë kanë humbur investimet e jetës, shtëpi, makina e biznese, nga profili i kryeministrit vijnë foto nga bukuritë e Shqipërisë. Male me dëborë, det i qetë në perëndim. E kur ka skandale si Vlora 5 ditë pa ujë apo si Durrësi 2 ditë nën ujë, ka postime me fjalor plakash si “plastë syri i keq, na marrshin te keqen” etj.
Kështu, edhe pse vendi mbytet nga uji i tepër që hidrovorët 20 milionë euro nuk e thithin dot apo thahet fare nga mungesa e tij se çahen tubat e ujësjellësve miliona euro, feed-i i kryeministrit në Facebook, Instagram apo X është i kuruar.
Edi Rama kthehet sot në Shqipëri nga Parisi dhe basti është i lartë që të postojë vetëm ndonjë pamje nga ekipet e emergjencës që do shfaqen në kamera si shpëtimtarë.
Krizat në fakt kërkojnë shtet dhe kryetar qeverie në detyrë, por përgjigjja do të jetë edhe kësaj here kontenti ne rrjetet sociale, njësoj si një influencer që as e ka mendjen në punët e përditshme të shtetit e as i hyn gjë në xhepin ku me gjasë mban ndonjë hudhër, që të mos e hajë syri i keq i sukseseve imagjinare.
Dhe teksa përgatitej ky artikull ndodhi pak a shumë siç e parashikuam. Rama postoi disa foto përmbytjesh nga Mali i Zi dhe Kroacia dhe asnjë nga Durrësi që po kalon orë apokaliptike, Gjirokastra apo Lezha. Dhe shihni se çfarë shkruan për të kuptuar se si ai jeton realisht si një influencer i papërgjegjshëm dhe jo si kryeministër.
“Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë akoma mua, qeverinë dhe bashkinë e Durrësit, për reshjet mbytëse të këtyre ditëve në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kroaci e me radhë… Çudi e madhe opozitat andej, po të paktën të fajësonin qeveritë e tyre, po hiç, asnjë llaf”.
Në të vërtetë është ai që ka mbi 24 orë që s’ka thënë asnjë llaf për Durrësin, ku ka qenë edhe deputet. /Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari