Aplikacion
Protestat e fermerëve në Greqi po përshkallëzohen dhe tashmë kanë shtrirë ndikimin në disa rajone, duke përfshirë Thesalinë, Maqedoninë, Thrakinë, Epirin dhe Greqinë Perëndimore.
Autostrada kombëtare Athinë–Selanik dhe aksi E-65 mbeten të bllokuara, ndërsa në qytetin Kiato kanë ndodhur përplasje me policinë dhe përdorim i gazit lotsjellës kur fermerët tentuan të bllokojnë “Olympia Odos”.
Sipas policisë kufitare greke, të enjten, nga ora 19:00 deri në 22:00 (me orën lokale), aksi rrugor Kakavijë–Janinë në fshatin Kallpaq do të jetë i bllokuar, dhe qarkullimi lejohet vetëm për automjetet e emergjencës.
Fermerët paralajmërojnë se bllokadat mund të vazhdojnë edhe gjatë festave, duke përfshirë bllokimin e portit të Volosit më 8 dhjetor, nëse qeveria nuk adreson kërkesat e tyre.
Shkak i protestave është kostoja e lartë e prodhimit bujqësor, vonesat në pagesat e subvencioneve të BE-së dhe dëmtimet nga sëmundja e lisë së deleve. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis u tha fermerëve se qeveria është e hapur për dialog, duke përqendruar mbështetjen tek prodhuesit e ndershëm, ndërsa ata që kanë bërë deklarime të rreme ose kanë çështje penale nuk do të përfitojnë subvencione./ Zoom.al