Aplikacion
Trupi i pajetë i një 25-vjeçari shqiptar, i cili dyshohet se mori pjesë në një grabitje të armatosur në Foria di Centola së bashku me dy bashkëpunëtorë të tjerë, është gjetur mëngjesin e sotëm në zonën Limazzo, në San Severino di Centola.
I riu ishte zhdukur për më shumë se 48 orë pas një shkëmbimi zjarri që ndodhi gjatë grabitjes së një vile, rreth orës 22:00 të së dielës.
Sipas të dhënave paraprake, vdekja e të riut duket se është shkaktuar nga një plagë me armë zjarri. Dyshohet se plumbi fatal mund të ketë ardhur nga arma e pronarit të vilës, i cili ndodhet aktualisht nën hetim.
Një nga bashkëpunëtorët e viktimës ndodhet i shtruar në spitalin Cardarelli në Napoli me një plagë të rëndë, ndërsa personi i tretë i përfshirë në grabitje është ende në kërkim.
Autoritetet kanë urdhëruar autopsinë për të përcaktuar me saktësi shkakun e vdekjes së shqiptarit dhe detaje të reja për ngjarjen e rëndë.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe dhe tension në komunitetin shqiptar në Itali. Dhjetëra bashkatdhetarë, përfshirë edhe gruan e viktimës, janë mbledhur pranë zonës ku u gjet trupi, duke kërkuar drejtësi./ Zoom.al