Aplikacion
Një 53-vjeçar shqiptar u arrestuar mbrëmjen e kaluar në qytetin e Gubbios në Itali, pasi akuzohet se mbante të mbyllur ish-bashkëshorten dhe dy fëmijët e tyre, 7 dhe 11 vjeç, duke ushtruar edhe dhunë ndaj tyre.
Ngjarja u zbulua falë një sinjalizimi nga autoritetet shqiptare, të cilat njoftuan policinë italiane për situatën. Brenda pak orësh, efektivët italianë lokalizuan automjetin ku ndodheshin burri, ish-bashkëshortja dhe fëmijët. Në momentin e ndalimit, gruaja dhe një nga fëmijët kërkuan menjëherë ndihmë.
Sipas hetimeve, 53-vjeçari e kishte mashtruar ish-bashkëshorten për të shkuar në Itali më 30 korrik dhe, pas mbërritjes, ai i kishte marrë asaj dhe fëmijëve pasaportat dhe telefonat për t’i penguar të largoheshin. Gjatë kësaj kohe, ai ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj tyre.
Pas shpëtimit, gruaja dhe fëmijët u vendosën në një qendër të sigurt, ndërsa burri u dërgua në burgun e Perugia-s./ Zoom.al