zoom

Aktualitet

Itali/ Shqiptarët të tretët për nga numri i të burgosurve të huaj

Itali/ Shqiptarët të tretët për nga numri i të burgosurve të huaj

Ministria Italiane e Drejtësisë ka publikuar raportin e fundit mbi numrin e të burgosurve të huaj në strukturat e vuajtjes së dënimit në Itali.

Në bazë të të dhënave, në Itali janë 1922 të burgosur shqiptarë që vuajnë dënimin e drejtësisë italiane, mes të cilëve 23 janë femra.

Të burgosurit shqiptarë në Itali përbëjnë 9.7% të numrit të përgjithshëm të të burgosurve me kombësi të huaj që janë gjithsej 19 732, e të tretët për nga numri më i lartë pas atyre marokenë e tunizianë.

Numri më i lartë i të burgosurve shqiptarë vuajnë dënimin në rajonet Lombardi, Toskana, Lazio e Emilia Romagna.

Po ashtu, deri më 31 korrik 2025 regjistrohen 88 të burgosur kosovarë, e të gjithë meshkuj, që vuajnë dënimin në Itali.

Qeveria Meloni është në punë për të reformuar sistemin penitenciar italian që prej disa vitesh shënon problematikën e mbipopullimit.

Ministri i Drejtësisë Carlo Nordio ka deklaruar se “në Itali janë mbi 60 mijë të burgosur e rreth 20 mijë prej tyre janë të huaj, e me një mbipopullim mbi 10 mijë vende më shumë se sa është kapaciteti që përbën sistemi italian.”

“Gjysma e të burgosurve të huaj mund të kryejnë dënimin e tyre në vendin e origjinës”, u shpreh ai.

Preokupues në burgjet italiane është dhe numri i lartë i vartësve të drogës që janë rreth 25 mijë.
“Ndaj tyre, – u shpreh Ministri Nordio – mund të gjendet mënyra alternative si për shembull pranë strukturave kuruese, për të vuajtur dënimin”.

Një tjetër fenomen alarmues në burgjet italiane është ai i vetëvrasjes.

Në të dhënat zyrtare të publikuara nga Autoriteti për të Drejtat e të Burgosurve, në tremujorin e parë të 2025 janë dokumentuar 22 vetëvrasje të burgosurish në burgjet italiane, e 11 prej tyre ishin të huaj.

Ndërsa 16 vdekje të tjera të verifikuara mes të burgosurve janë në hetim nga drejtësia për të qartësuar motivet e vdekjes.

Ndërsa më 2024 në burgjet italiane janë regjistruar 88 vetëvrasje.

Postime të lidhura