Aplikacion
Këshilli Bashkiak i Tiranës i është drejtuar zyrtarisht SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve me kërkesën për të lejuar kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj, i cili ndodhet në qeli prej datës 10 Shkurt 2025, të marrë pjesë fizikisht në mbledhjet për konsultimin dhe detajimin e projektbuxhetit 2026.
Në kërkesë theksohet se pjesëmarrja e kryebashkiakut në këtë proces përbën një detyrim dhe të drejtë të përcaktuar qartë nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore. Sipas Këshillit Bashkiak, prania e Veliajt është e domosdoshme për garantimin e bashkëpunimit institucional dhe trajtimin e çështjeve me interes publik.
Duke iu referuar ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore” dhe ligjit “Për Financat e Qeverisjes Vendore”, këshilltarët nënvizojnë se kryetari i bashkisë ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e këshillit, të raportojë dhe të paraqesë projektbuxhetin për miratim.
Për këtë arsye, Këshilli Bashkiak kërkon që, nëse ndaj Veliajt zbatohen masa kufizuese, të vlerësohet lejimi i përkohshëm i pjesëmarrjes së tij fizike në mbledhjet që pritet të zhvillohen nga data 16 deri më 18 dhjetor 2025, duke garantuar çdo masë sigurie apo protokolli të nevojshëm.
Kërkesa e plotë:
Lënda: Kërkesë për mundësimin e pjesëmarrjes së Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, në konsultimin për projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2026
STRUKTURËS SË POSAÇME KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR
DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË BURGJEVE
Të nderuar përfaqësues të institucioneve,
Këshilli Bashkiak i Tiranës, në zbatim të detyrimeve të tij ligjore dhe me qëllim garantimin e funksionimit të rregullt institucional, ju drejtohet për të kërkuar mundësimin e pjesëmarrjes së Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, referuar kërkesës së tij nr.42497 prot., datë 15.12.2025, për të marrë pjesë në konsultimin e PBA 2026-2028 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë Tiranë për vitin 2026.
Sipas Ligjit nr.139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i ndryshuar, konkretisht:
Duke qenë se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, referuar ligjit nr. 68/2017 “Për Financat e Qeverisjes Vendore”, ku neni 41, parashikon se “Kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore përgatit projektbuxhetin vjetor dhe ia paraqet për miratim Këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore”, ju kërkojmë që nëse ndaj tij janë duke u zbatuar masa kufizuese, të vlerësohet:
lejimi i përkohshëm për pjesëmarrje fizike në një nga datat nga 16 deri në 18 dhjetor 2025.
Këshilli Bashkiak është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht për cdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike të institucioneve tuaja, me qëllim garantimin e një procesi ligjor, transparent dhe funksional.
Ju lutemi të na informoni me shkrim mbi vendimmarrjen tuaj, duke patur parasysh rëndësinë e respektimit të funksioneve institucionale dhe të të drejtës së Kryetarit të Bashkisë për të raportuar para Këshillit Bashkiak.
Me respekt,
Këshilltarët