Aplikacion
SPAK ka bërë një reagim publik pas shtyrjeve të njëpasnjëshme të seancave gjyqësore për Erion Veliajn dhe pas kërkesave të tij dhe të avokatëve të tij mbrojtës për dosjen dhe për procesin.
Erion Veliaj ka pretenduar se nuk është njohur me dosjen fizike, pasi i është dorëzuar vetëm një USB, të cilën në qeli nuk ka mundësi ta hapë.
SPAK njofton se dosja është dërguar në Gjykatën e Posaçme më 10 shtator 2025. Seanca e parë paraprake u caktua më 29 shtator, por deri tani janë shtyrë tetë seanca, kryesisht për mungesa të pajustifikuara të avokatëve të të pandehurve ose për kërkesa që SPAK i konsideron të pabazuara. Këto shtyrje, sipas Prokurorisë, kanë penguar përfundimin e fazës paraprake brenda afatit ligjor prej 30 ditësh.
Për pretendimet e Veliajt se nuk është njohur me aktet e hetimit, SPAK deklaron se ka përmbushur të gjitha detyrimet ligjore.
Senaca e sotme në GJKKO nëse dosja e Erion Veliajt do të kalonte për gjykim apo jo u shty sërish. Ajo do të mbahet më 12 dhjetor.
Të martën e shkuar, Veliaj ishte i pranishëm në seancën paraprake ku pritej vendimi nëse çështja ndaj tij do të kalonte apo jo për gjykim.
Veliaj i është drejtuar trupit gjykues me 3 kërkesa, ku e para ishte heqja e kafazit metalik që sipas tij është një mjet poshtërues, pasi ai nuk është person i rrezikshëm.
“Heqjen e menjëhershme të masës së vendosjes në kafaz, në përputhje me standardet detyruese të KEDNJ dhe jurisprudencën e GJEDNJ, që e konsiderojnë këtë praktikë trajtim poshtërues, paragjykues dhe të papajtueshëm me nenet 3 dhe 6 të Konventës”, tha Veliaj.
Mungesa e plotë e akteve të dosjes, që sipas Veliaj ende nuk i janë vendosur në dispozicion, ishte kërkesa e dytë parashtruar në letrën e tij.
“Vënien e plotë dhe të menjëhershme në dispozicion të akteve të dosjes në një formë të lexueshme dhe të aksesueshme, që më mundëson të jem realisht i informuar për akuzën dhe të kem kohën e nevojshme për përgatitjen e mbrojtjes sime”, shtoi Veliaj.
Fjalën e tij kryebashkiaku e mbylli duke kërkuar shtyrjen e seancës paraprake, në mënyrë që të lexojë dosjen dhe të ketë mundësinë e mbrojtjes.
“Shtyrjen e procedurës, derisa kjo e drejtë elementare, e drejta për t’u mbrojtur, të më garantohet në mënyrë të plotë dhe efektive. Asnjë proces i drejtë nuk mund të vazhdojë pa respektuar këto tre kushte minimale”, tha kryebashkiaku i Tiranës. / Zoom.al
Reagimi i plotë i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sqaron disa rrethana procedurale të cilat lidhen me gjykimin e çështjes penale në ngarkim në ngarkim të të pandehurit Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë.
Procedimi penal, nr.27 i vitit 2024 është dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më datë 10.9.2025.
Gjykata e Posaçme caktoi më 29.9.2025, seancën e parë të gjykimit paraprak. Prej këtij momenti dhe deri tani janë shtyre 8 seanca gjyqësore për shkak të mungesave të pajustifikuara të mbrojtësve të të pandehurve apo dhe kërkesave të padrejta të tyre,duke penguar përfundimin e gjykimit paraprak brenda afateve të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale*.
Sa i takon prentendimeve të përsëritura të të pandehurit, Erion Veliaj, për njohjen me aktet e procedimit penal, nr. 27/2024, theksojmë faktin se Prokuroria e Posaçme ka përmbushur plotësisht detyrimet që burojnë nga neni 327/2/3 të Kodit të Procedurës Penale.
Brenda afatit të parashikuar nga neni 324 i Kodit të Procedurës Penale, prokurorët kanë njoftuar të pandehurin dhe mbrojtësit e tij, mbi përfundimin e hetimeve paraprake. Veç përshkrimit të përmbledhur të faktit penal, për të cilin procedohet i pandehuri, Erion Veliaj është njoftuar edhe me të drejtën për t’u njohur me aktet dhe për të marrë kopje të tyre.
Në ushtrim të kesaj të drejte, mbrojtësit e të pandehurit Erion Veliaj, më datë 24.7.2025, pa asnjë shpenzim kanë marrë një kopje të akteve të procedimit penal, nr. 27 të vitit 2024. Ky fakt është dokumentuar me procesverbalin përkatës të datës 24.7.2025, i nënshkruar nga njëri prej avokatëve të zgjedhur nga i pandehuri Erion Veliaj.
Jo vetëm kaq, por më datë 10.10.2025, i njëjti avokat i zgjedhur ka bërë kërkesë pranë organit procedues për vënien në dispozicion të një kopjeje të akteve, ku pasqyrohen veprimet hetimore shtesë të kryera për periudhën 24.7.2025 deri në muajin Shtator 2025. Në këtë kërkesë, vetë avokati i zgjedhur shprehet se; “më datë 23.07.2025 janë njoftuar për përfundimin e hetimeve dhe u është vendosur në dispozicion një USB me kopje të akteve të këtij procedimi penal.”
Prokurorët e çështjes theksojnë se mënyra vijuese e ndërveprimit pas këtij momenti procedural, mes të pandehurit dhe avokatit të zgjedhur prej tij, i takon marrëdhënies së ndërtuar mes tyre dhe nëasnjë rast, nuk përfshin organin procedues me pretendime të pabazuara në ligj.
Prokuroria e Posaçme vazhdon të zbatojë ligjin dhe të sigurojë një proces gjyqësor të rregullt dhe transparent.