Aplikacion
Avokati Artan Gjermeni ka njoftuar tërheqjen nga mbrojtja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke argumentuar se procesi po zhvillohet në kushte që nuk garantojnë të drejtat minimale të të pandehurit.
I ftuar në “News 24”, ai tha se kërkesa e tij që Veliaj të njihej me aktet e plota të dosjes është rrëzuar nga gjykata, edhe pse materiali hetimor përmban rreth 61–62 mijë faqe, numër që sipas tij është i pamundur të analizohet brenda afatit të shkurtër të vendosur.
Gjermeni sqaroi se kërkesa e tij përfshinte: heqjen e detyrimit që Veliaj të paraqitet në një kafaz gjatë seancave, duke e cilësuar këtë si trajtim poshtërues sipas praktikave të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut; vënien në dispozicion të plotë të akteve të dosjes në një formë të aksesueshme dhe shtyrjen e procedurave derisa të sigurohej njohja e materialeve.
Sipas avokatit, vendimi i gjykatës kufizon mundësinë e komunikimit me klientin dhe e bën të pamundur përgatitjen e një mbrojtjeje të rregullt ligjore. Ai theksoi se nuk mund të vazhdonte të përfaqësonte Veliajn në një situatë ku “veprimet bazë të avokatit nuk mund të realizohen”.
Edhe pse është larguar zyrtarisht nga çështja, Gjermeni tha se do të vazhdojë punën deri sa avokatja e re të marrë detyrën. Ndërkohë, seanca paraprake është shtyrë për datën 5 janar./ Zoom.al