Aplikacion
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka refuzuar kërkesat e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me mënyrën se si ai mund të njihej me aktet e dosjes së tij prej 60 mijë faqesh.
Veliaj kërkoi ose të pajisej me një pajisje elektronike në burg, ose të lejohej që çdo ditë të vinte në gjykatë për të studiuar dosjen. Gjykata refuzoi të dy opsionet.
Kryebashkiaku kërkoi gjithashtu që të ketë qasje të plotë dhe të menjëhershme në dokumentet e dosjes, në mënyrë që të jetë i informuar mbi akuzat dhe të ketë kohën e nevojshme për të përgatitur mbrojtjen.
Ai kërkoi gjithashtu shtyrjen e procedurës, derisa këto të drejta elementare të garantohen në mënyrë të plotë, duke argumentuar se asnjë proces i drejtë nuk mund të zhvillohet pa respektuar këto kushte minimale.
Seanca e sotme, ku pritej të vendosej nëse dosja do të kalojë për gjykim apo do të rikthehet në SPAK për hetime të mëtejshme, u shty për datën 5 dhjetor, duke i dhënë kohë Veliajt të njihet me dosjen hetimore./ Zoom.al