Aplikacion
Në panairet e këtij viti të Frieze London dhe Art Basel Paris, shumë vizitorë u habitën kur panë vepra të një artisti të papritur: kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Rama, i cili në maj siguroi një mandat të katërt të paprecedentë pasi bëri fushatë me kartën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, është gjithashtu një artist i afirmuar. I diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ai kaloi disa vite duke punuar në Paris përpara se t’i futej politikës në fund të viteve ’90.
Që prej asaj kohe, ai ka vijuar të krijojë art, duke ekspozuar në Centre Pompidou në Paris dhe dy herë në Bienalen e Venecias, shpesh duke theksuar se vizatimi e ka ndihmuar të përballojë mbledhjet e gjata qeveritare.
Më 9 tetor, galeria Société në Berlin njoftoi se kishte përfshirë Ramë, një lider karizmatik dhe shpesh i diskutueshëm, i përfshirë aktualisht në disa skandale, në listën e saj prej rreth dhjetë artistësh.
Galeria nuk humbi kohë për të prezantuar anëtarin e saj më të ri, duke i kushtuar një mur të tërë në Frieze London rreth 25 vizatimeve të tij me stilolaps dhe vajra shumëngjyrëshe, të shoqëruara me dy skulptura prej bronzi të pikturuar, të vendosura mbi bazamente qeramike. Një përzgjedhje më e vogël, tre vizatime dhe një skulpturë, u shfaq në Art Basel Paris javën pasuese.
Julia Ballantyne-Way, partnere në Société, i tha The Art Newspaper se rreth gjysma e vizatimeve u shitën dhe vazhdojnë diskutimet me blerës të mundshëm për tre skulpturat. “U prit shumë mirë,” thotë ajo për artin e Ramës. “Shumë njerëz nuk e dinë [për Ramën si artist] dhe natyrisht habiten dhe intriguohen kur e zbulojnë.”
Ajo shton: “Ka edhe njerëz që e kanë ndjekur prej kohësh dhe janë entuziastë që ai më në fund është me ne dhe i përfaqësuar.”
Ballantyne-Way thotë se ka qenë prej vitesh “në kontakt të ngushtë” me Ramën, dhe së fundmi filloi diskutimet për përfaqësim pasi ndoqi ekspozitën e tij personale në Marian Goodman Gallery në Paris vitin e kaluar. “Është një profil i ri për ne, nuk kemi asnjë tjetër artist-politikan,” thotë ajo. “Vepra e re është vërtet emocionuese. Ai po përfshin shumë më tepër bronz në qeramika.”
Oltsen Gripshi, artist dhe kritik bashkëkohor shqiptar që vitin e kaluar botoi një libër për artin e Ramës, thotë se ai është larguar prej Realizmit të epokës komuniste duke krijuar një gjuhë të veçantë abstrakte të frymëzuar nga Kandinsky. “E konsideroj një formë të re neo-ekspresionizmi për shkak të ndërthurjes së ekspresionizmit, abstraksionizmit dhe formalizmit,” thotë Gripshi.
Pastrimi i imazhit?
Rama u rikthye në Shqipëri në vitin 1998 për të shërbyer si ministër i Kulturës, duke fituar më vonë vëmendjen ndërkombëtare si kryebashkiak i Tiranës (2000–11) për pikturimin e fasadave të ndërtesave të zymta të epokës komuniste me ngjyra të forta. Që prej vitit 2013, si kryeministër, qeveria e tij ka mbikëqyrur restaurimin e disa prej siteve kryesore të trashëgimisë, përfshirë Muzeun Historik Kombëtar, Kullën Veneciane të Durrësit dhe Urën e Kurçajt.
Megjithatë, administrata e tij është përndjekur nga skandalet e korrupsionit. Në vitin 2023, ish-ministri i mjedisit Lefter Koka mori dënim me pesë vjet burg për marrje ryshfeti në të ashtuquajturin “skandali i inceneratorëve”, ndërsa Arben Ahmetaj, ish-zv.kryeministër, vijon të jetë i shpallur në kërkim ndërkombëtar për pastrim parash, deklarim të rremë pasurie dhe shpërdorim detyre.
Pas kritikave të Ramës ndaj autoritetit shqiptar kundër korrupsionit pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, një aleat i ngushtë, autoriteti e akuzoi atë në shkurt për cenim të pavarësisë së drejtësisë.
Armando Lulaj, artist bashkëkohor dhe kritik i hershëm i Ramës, e ka quajtur artin e kryeministrit një manovër PR për pastrimin e imazhit, duke pretenduar se Rama ka penalizuar financiarisht kundërshtarët. “Grupi im, që kritikon artin e tij dhe mënyrën si pushteti e përdor artin kulturor, është i anashkaluar dhe nuk mund të marrë asnjë fond publik,” thotë ai.
Ballantyne-Way mohon se aktiviteti artistik i Ramës ka të bëjë me imazh. “Ai ka studiuar art, ka dhënë mësim arti dhe ka qenë artist aktiv në Paris para se të hynte në politikë,” thotë ajo.
Veprat e Ramës u shfaqën edhe në Art Basel Miami Beach javën e kaluar dhe do të ekspozohen në një shfaqje personale gjatë Gallery Weekend Berlin në prill të vitit të ardhshëm./Theartnewspaper – Zoom.al