zoom

Lajme

Berisha mohon akuzat për përfitim toke në Divjakë: Shpifje e turpshme

Berisha mohon akuzat për përfitim toke në Divjakë: Shpifje e turpshme

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar publikisht pas akuzave të hedhura ndaj familjes së tij një ditë më parë në protestë, ku u tha se familjarët e tij dyshohet se kanë përfituar 63 hektarë tokë në zonën e Divjakës.

Në rrjetet sociale, Berisha i ka hedhur poshtë këto akuza, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të motivuara politikisht.

Sipas ish-kryeministrit, as ai dhe as familjarët e tij, përfshirë vajzën e tij Argita Malltezi, nuk kanë pasur ndonjëherë pronë apo përfitim toke në zonën e Divjakës.

Ai theksoi se gjatë dekadave është hetuar për çështje të ndryshme, por sipas tij nuk është provuar asnjë përfitim i paligjshëm.

Sipas tij, këto akuza shërbejnë për të devijuar vëmendjen nga çështje të tjera politike dhe skandale të pretenduara të qeverisë aktuale.

“Kur kauzat ngjyhen me shpifjet e qeverisë

Lidhur me deklaratën e një shpifëseje të paguar dje në protestë, se “Argita Berisha dhe familja e kryeministrit Berisha më kanë marrë 63 hektar tokë në Divjakë”, deklaroj se: kjo është një gënjeshtër e plotë dhe shpifje e turpshme.

Argita Berisha dhe familja e ish-kryeministrit Berisha nuk kanë dhe nuk kanë patur kurrë asnjë metër katror tokë në Divjakë dhe nuk i kanë marrë kujt kurrë asnjë metër katror tokë.

Sali Berisha dhe familja e tij është hetuar për 35 vjet nga militantët e Edi Ramës dhe në përfundim rezultoi se ata kurrë nuk kanë përfituar asnjë lekë publik, asnjë tender dhe asnjë cm2 tokë, publike e as private të tjetërkujt.

Pasi dështuan me shpifjet për interesat e mia e të familjarëve të mi në kullat e Tiranës, ditën kur Edi Rama duhet të jepte përgjigje për vjedhjen e pronës publike të provuar me dokumentat e rastit të hotelit Zig-Zag, duke qenë që përgjigje nuk jepte dot zgjodhi shpifjen.

Përlyerja e kauzave publike me gënjeshtra të dukshme është mjet i qëllimshëm i asfiksimit të kauzës dhe oksigjenimit të kësaj qeverie që ka vjedhur pronat publike e private të shqiptarëve dhe kërkon të fshihet pas shpifësave të saj.

Duke përfunduar Sali Berisha mbështet fuqishëm protestën e rinisë dhe qytetarëve, por natyrisht jo shpifjet dhe shpifësit që e dëmtojnë kauzën e saj”, u shpreh Sali Berisha./ Zoom.al

Postime të lidhura