Aplikacion
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar lidhur me vendimin e deputetes Marjana Koçeku për t’u larguar nga grupi parlamentar socialist.
Gjatë një deklarate për mediat, Balla tha se deri tani nuk ka marrë asnjë shkresë apo komunikim zyrtar nga deputetja, duke theksuar se procedurat institucionale nuk mund të zëvendësohen nga postimet në rrjetet sociale apo deklaratat publike.
Ai bëri të ditur se komunikimi i fundit me Koçekun ka qenë vetëm pak ditë më parë dhe se ka tentuar ta kontaktojë në telefon, por pa mundur të marrë përgjigje.
Sipas Ballës, deputetët mbajnë një përgjegjësi të drejtpërdrejtë ndaj votuesve që u kanë besuar mandatin dhe ndaj forcës politike që i ka kandiduar.
“Unë jam bariu dhe më thoni që unë nuk kam një njoftim që një koleg të sjellë një shkresë; deri të premten kam pasur komunikim.
Të mos harrojmë që ne kemi mandate përfaqësuese. Të gjithë ne, deputetët e PS-së, jemi këtu se na kanë votuar socialistët. Të shkojnë e ta provojnë njëherë pa grushtin dhe trëndafilin, si dalin.
S’bëj analizë për një deputete të re. Një deputete e re që u ftua të jetë pjesë e PS-së, një ditë të bukur pasi mori medalje, tha s’dua të vij më në punë.
Njerëzit duhet të njoftojnë zyrtarisht. Ku ta di unë që s’i kanë mbyllur Facebook-un. Unë e kam marrë në telefon, s’ma ka hapur”, tha Balla./ Zoom.al