zoom

Aktualitet

Zbulohet arsenal armësh dhe minash në Nikël, 3 ditë pas atentatit mafioz në Rinas

Zbulohet arsenal armësh dhe minash në Nikël, 3 ditë pas atentatit mafioz në Rinas

Një arsenal armësh dhe mjetesh shpërthyese është gjetur në zonën e Niklës, vetëm tre ditë pas atentatit mafioz të 11 nëntorit pranë aeroportit të Rinasit.

Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan armë automatike, mitraloz, granata, fishekë të kalibrave të ndryshëm, fitil zjarrpërcjellës, si dhe lëndë plasëse të lidhura me celularë, të gatshme për shpërthime në distancë.

Sasia e konsiderueshme e armëve dyshohet se lidhet me ngjarje kriminale. Autoritetet kanë identifikuar një prej personave të dyshuar si posedues të armëve dhe minave të gjetura në Nikël.

I dyshuari është shpallur në kërkim dhe po vijon puna për kapjen e tij, si edhe për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm.

Zbulimi i arsenalit ndodhi pak ditë pas ekzekutimit të Gilmando Danit, mik dhe krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, i cili u vra me breshëri plumbash në afërsi të aeroportit të Rinasit.

Në atentat mbeti i plagosur rëndë edhe oficeri i AMP-së, Muçi Shaljari, i njohur si Sheqeri, që mori 10 plumba, dy prej të cilëve në kokë.

Dani dhe Shaljari kishin ardhur nga një udhëtim katërditor në Barcelonë dhe udhëtonin me një automjet tip “Benz” kur ranë në pritën e tre atentatorëve që hapën zjarr pranë rrethrrotullimit të aeroportit. Hetimet po vijojnë për të zbuluar lidhjen e mundshme midis atentatit dhe arsenalit të zbuluar në Nikël./Zoom.al

Postime të lidhura