Aplikacion
Hetimet për vrasjen e dyshuar të Eglant Koçit vijojnë, ndërsa i dyshuari kryesor, Armand Shakaj, mbetet ende në arrati.
Sipas burimeve hetimore, ai është pikasur disa herë në zona të ndryshme të Tiranës, por ka arritur t’i shpëtojë forcave të policisë, ndërsa kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e tij janë intensifikuar.
Ditën e sotme, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar leje nga Gjykata Penale për të këqyrur katër kompjuterë të sekuestruar në zyrën e të dyshuarit. Ky veprim vjen si pjesë e hetimeve që synojnë zbardhjen e plotë të komunikimeve dhe veprimtarisë së tij, ndërsa materialet digjitale pritet të kenë rol kyç në dokumentimin e ngjarjes.
Sipas burimeve pranë grupit hetimor, një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me transferta në kriptovaluta, aktivitet me të cilin dyshohet se është marrë edhe viktima, Eglant Koçi. Megjithatë, hetuesit theksojnë se deri më tani nuk ka një profil të qartë financiar që ta lidhë viktimën me aktivitete të mëdha ekonomike, ndërsa jeta e tij rezulton të ketë qenë e thjeshtë dhe pa ekspozim të lartë financiar.