zoom

Aktualitet

ADN-ja zbardh misterin, trupi i gjetur në Cërrunjë i përket Eglant Koçit

ADN-ja zbardh misterin, trupi i gjetur në Cërrunjë i përket Eglant Koçit

Ekspertiza e ADN-së ka konfirmuar se trupi i pajetë i gjetur disa ditë më parë në zonën e Cërrunjës i përket 34-vjeçarit Eglant Koçi, i cili rezultonte i zhdukur prej fillimit të muajit qershor.

Që kur u gjet trupi, dyshohej për të riun e humbur, por identifikimi përfundimtar u arrit vetëm pas kryerjes së analizave biologjike.

Hetuesit kishin mbledhur disa elementë që përputheshin me të dhënat e Eglant Koçit, mes tyre një shenjë operacioni në trup, numri i këmbës dhe veshjet e zeza që viktima mbante në momentin kur u pa për herë të fundit.

Trupi i 34-vjeçarit u gjet në gjendje të avancuar dekompozimi pas më shumë se dy javësh kërkime intensive. Operacioni i kërkimit u zhvillua nga strukturat e Policisë së Shtetit, të mbështetura edhe nga forcat e sigurisë së Kosovës dhe përdorimi i dronëve në terrene të vështira.

Pas konfirmimit të identitetit, familjarët pritet të tërheqin trupin nga morgu i Tiranës për kryerjen e ceremonive mortore.

Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë. Sipas dyshimeve paraprake të autoriteteve, 34-vjeçari mund të jetë vrarë, ndërsa si person i dyshuar për ngjarjen konsiderohet Armando Shakaj, i cili prej disa javësh është shpallur në kërkim./ Zoom.al

Postime të lidhura