Aplikacion
Skandali me skemën “Half Payment” të aplikuar nga Banka Kombëtare Tregtare (BKT) ndaj mijëra klientëve të saj të kredive retail po zgjerohet, ndërkohë që kjo bankë ka zgjedhur të heshtë, duke refuzuar t’u përgjigjet një sërë pyetjesh shtesë që Zoom.al i ka drejtuar në mënyrë zyrtare.
Prej disa javësh, Zoom.al ka investiguar këtë praktikë të dyshimtë të përdorur nga BKT, ku klientëve u është ofruar një opsion “gjysmë pagese” në vend të siguracionit të jetës ose të kolateralit, nën emrin “Half Payment”, një produkt që nuk është përfshirë në kontratat standarde të kredisë, nuk është i licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), dhe është aplikuar si komision i fshehtë dhe i njëanshëm.
Nëpërmjet kësaj skeme BKT i ka privuar klientët nga e drejta për të përfituar garanci dhe sigurim jete nga kompanitë e licensuara për këtë aktivitet. Kjo do të thotë se në rast të ndonjë fatkeqësie të kredimarrësit banka do të ekzekutonte kolateralin e lënë prej tij, ndërsa në rastet kur sigurimi i jetës bëhet në një kompani të licensuar sigurimesh, kolaterali nuk merret nga banka, por paguhet nga kompanitë e sigurimit.
Në këtë mënyrë BKT jo vetëm i ka mashtruar klientët, por besohet se ka përfituar nga ekzekutimi i kolateralit. BKT deri në publikimin e këtij shkrimi nuk i është përgjigjur pyetjes nëse ka pasur raste të kësaj natyre.
Përmes një kërkese të dytë për informacion, Zoom.al kërkoi sqarime shtesë nga BKT mbi bazën ligjore të këtij produkti financiar, mbi destinacionin e të ardhurave nga kjo skemë dhe mbi përfituesit realë (qoftë kompani apo individë) të shumave të mbledhura në mënyrë sistematike nga klientët.
Por teksa skandali po merr përmasa të mëdha dhe për të është vënë në dijeni edhe SPAK, BKT ka zgjedhur të heshtë, duke thelluar dyshimet se skema ka qenë tërësisht abuzive dhe në shkelje të ligjit.
Zoom.al i është drejtuar ndërkohë edhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), i cili ka kompetencën për të mbikëqyrur marrëdhëniet midis bankave dhe kompanive të sigurimeve në çështje që lidhen me ndërmjetësimin apo zëvendësimin e produkteve të detyrueshme të sigurimit.
AMF, siç pohoi Banka e Shqipërisë për Zoom.al është autoriteti që duhet ta kishte licensuar BKT -në për “Half Payment” ose do të duhej ta kishte penalizuar atë në rastin kur ky aktivitet është ushtruar pa licensë.
Ajo që e bën skandalin më të rëndë është fakti se vetë BKT dhe Banka e Shqipërisë e kanë pranuar në përgjigje për Zoom.al se produkti “Half Payment” nuk është licencuar nga asnjë institucion mbikëqyrës dhe se ndërmjetësimi i BKT me kompanitë e sigurimit për këtë produkt ka ndodhur pa autorizimin e AMF-së, duke shkelur kështu rregullat themelore të tregut financiar.
Sipas ligjit, çdo produkt që lidhet me siguracionin duhet të jetë i licencuar nga AMF,i dokumentuar për klientin përmes kontrate apo police sigurimi dhe i mbrojtur nga rregulla të qarta për transparencën, informimin dhe nivelin e riskut.
Në rastin e “Half Payment”, klientët kanë paguar shuma të konsiderueshme parash, që shkojnë deri në disa mijëra euro në total për kredi afatgjata, pa marrë asnjë dokument, asnjë mbulim sigurie dhe asnjë të drejtë në rast rreziku.
Në denocimin e bërë në redaksinë e Zoom.al, një ish -punonjëse e bankës ngriti shqetësime serioze edhe për faktin se një pjesë e shumave të mbledhura përmes skemës “Half Payment” mund të kenë përfunduar në llogari të individëve të lidhur me ish-drejtues të BKT.
Kjo pistë hetimi nuk është mohuar as nga përgjigjet zyrtare të institucioneve, që hedhin fajin tek njëra-tjetra, por askush nuk mban përgjegjësi për një skemë që sipas të gjitha provave të deritanishme përbën shkelje të rëndë të të drejtave të konsumatorit, mashtrim financiar të strukturuar dhe mohim të mbrojtjes ligjore që klientët duhet të kishin përballë një rreziku të mbuluar zakonisht nga siguracioni.
Në mungesë të përgjigjeve nga vetë banka, Zoom.al i ka kërkuar zyrtarisht AMF-së të sqarojë nëse ka hetime në vijim për këtë rast, nëse do të kërkojë transparencë mbi pagesat e mbledhura dhe përfituesit e tyre dhe nëse do të marrë masa ndaj BKT për përdorim të një produkti të paautorizuar në treg.
Në të njëjtën kohë, ekspertët juridikë dhe financiarë sugjerojnë që kjo çështje duhet të ndiqet edhe penalisht, për shkak se në qendër të saj qëndron mashtrimi me miliona euro në kurriz të klientëve të zakonshëm, të cilët janë vënë përballë një zgjedhjeje të rreme si, “o paguaj ‘Half Payment’ ose mbetesh pa kredi”.
Përballë këtij skandali që sa vjen e thellohet, klientët e BKT që kanë paguar “Half Payment” dhe institucionet shqiptare duhet të ndjekin disa hapa.
Zoom.al u bën thirrje të gjithë klientëve të BKT-së që kanë marrë kredi gjatë viteve 2009–2013, në kohën kur është aplikuar “Half Payment” të kërkojnë historikun e llogarive dhe të kontrollojnë për shënimin “Half Payment”. Nëse ai ekziston, ata duhet të kërkojnë sqarim dhe rimbursim. Nëse banka nuk reagon, duhet t’u drejtohen autoriteteve ligjzbatuese.
Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare duhet të hetojë ndërmjetësimin e sigurimeve përpara vitit 2016.
SPAK duhet të jetojë nëse kemi të bëjmë me mashtrim masiv ndaj qytetarëve dhe favorizim institucional të një subjekti financiar.
Banka e Shqipërisë duhet të rishqyrtojë të gjithë marrëdhënien e saj me BKT në periudhën përkatëse.
Pavarësisht zgjedhjes së BKT për të heshtur përballë këtij skandali që ka vënë në dyshim seriozitetin dhe besueshmërinë e bankës më të madhe në vend, Zoom.al do të vazhdojë të ndjekë këtë rast deri në fund dhe fton çdo klient të prekur nga skema “Half Payment” të denoncojë përvojën e tij dhe të kërkojë kompensim ligjor. /Zoom.al