zoom

Ekonomi

“Half Payment”, Zoom.al zbulon skemën e fshehtë të BKT. Dyshime për mashtrim ndaj klientëve me sigurimet, një rast për SPAK

“Half Payment”, Zoom.al zbulon skemën e fshehtë të BKT. Dyshime për mashtrim ndaj klientëve me sigurimet, një rast për SPAK

Një praktikë e dyshimtë me kredi bankare, përfitime të pashpjeguara sigurimesh dhe një pagesë 21 mijë euro për një zyrtare që kalon nga BKT në Bankën e Shqipërisë. Si u mashtruan klientët për vite me radhë? Si përfitoi BKT para nga kompanitë e sigurimeve pa qenë e licensuar për të ndërmjetësuar? Çfarë ndodh me klientët e mashtruar dhe kush duhet të mbajë përgjegjësi?


Nga redaksia e Zoom.al

Një denoncim i mbërritur në redaksinë e Zoom.al ka hedhur dritë mbi një praktikë të dyshimtë financiare të ndjekur nga Banka Kombëtare Tregtare (BKT) në marrëdhënie me klientët e kredive retail gjatë periudhës 2009–2013. 

Me një skemë të quajtur “Half Payment”, klientëve u ofrohej mundësia që në vend të sigurimit të jetës, të paguanin një shumë që nuk mbulonte asgjë, as jetën, as rreziqet. Denoncimi flet edhe për komisione të përfituara në mënyrë të dyshimtë nga sigurimet dhe një pagesë të madhe për një ish-drejtore të BKT, e cila u punësua më pas në një pozicion kyç në Bankën e Shqipërisë.

Kjo skemë, që sipas një rrëfimi të detajuar të denoncuesit, ka mashtruar mijëra qytetarë për vite me radhë, me pagesa të dyshimta që mbeten pa mbulesë dokumentare, 

Denoncimi ka të bëjë me disa çështje sensitive. Sipas tij, “Half Payment” është një skemë e ngritur tërësisht për t’u grabitur sigurimin e jetës klientëve të kredive. 

Në periudhën 2009–2013, BKT vendosi të mos i detyronte më klientët me kredi të lidhin një kontratë të rregullt sigurimi jete me një kompani sigurimesh, siç kërkohej zakonisht për mbulimin e rrezikut në rast vdekjeje apo paaftësie. Në vend të kësaj, banka shpiku një alternativë të vetën, të ashtuquajturën “Half Payment”.

Klientëve u ofrohej kjo formulë: “Nëse nuk do të paguash sigurim, jep gjysmën e shumës që do të shpenzoje për sigurimin. E marrim ne dhe nuk të detyrojmë të bësh kontratë sigurimi.”

Por çfarë nuk u thuhej klientëve? Kjo pagesë nuk mbulonte absolutisht asnjë rrezik. Nuk kishte asnjë kontratë, asnjë mbrojtje ligjore dhe asnjë dokument sigurimi. Thjesht një pagesë e drejtpërdrejtë në të ardhurat e bankës. Një lloj “takse” për të mos u siguruar, që në çdo praktikë bankare do të konsiderohej mashtrim i pastër financiar.

“Nëse ky fakt verifikohet nga autoritetet, do të rezultojë se miliona lekë mund të jenë përfituar në mënyrë të paligjshme nga BKT, në kurriz të qytetarëve që mendonin se kishin siguruar jetën dhe familjen e tyre në rast fatkeqësie”, – thuhet në denoncim. 

Detyrimi për të zgjedhur vetëm siguruesin e propozuar nga BKT ngre dyshime të tjera për abuzim me klientët

Sipas denoncimit, klientët që pranonin të bënin sigurim të rregullt, nuk lejoheshin të zgjedhin lirisht kompaninë e sigurimeve në treg, siç e garanton ligji. BKT, përmes marrëveshjeve me disa kompani të sigurimit, përfitonte një komision prej 15% të primit, duke ndikuar drejtpërdrejt në zgjedhjen dhe duke shkelur të drejtën e klientit për konkurrencë të lirë.

Kjo praktikë, nëse vërtetohet, është jo vetëm në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e konsumatorit, por edhe me rregullat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Bankës së Shqipërisë.

Investigimi i Zoom.al, nisur nga ky denoncim, zbulon se praktika e ndjekur nga BKT shkon përtej një skeme financiare të gabuar. Ajo është dëshmi e përfitimeve nga klientët, duke mos u ofruar atyre transparencën e mjaftueshme. 

Pagesat “Half Payment” midis 2009 dhe 2013 nuk kishte policë, nuk kishte dokument, nuk ofronte asnjë mbrojtje në rast të ndonjë fatkeqësie që mund t’i ndodhte kredimarrësit. Në thelb, sigurimi i jetës mundëson që, nëse kredimarrësi pëson fatkeqësi, banka nuk mund të marrë koleteralin, por pagesa e kredisë bëhet nga kompania ku kredimarrësi është siguruar. BKT e zhduku këtë praktikë. “Half Payment” ishte një tarifë bosh e ngritur në sistemin bankar si zë të ardhurash për bankën. Por nëse klientit mund të humbte jetën në çdo rrethanë, banka do të ekzekutonte kolateralin që ai kishte lënë peng si garanci për të marrë kredinë.

Zoom.al iu drejtua me disa pyetje Bankës Kombëtare Tregtare, e cila, nuk e mohoi ekzistencën e kësaj praktike. Madje e shpjegoi atë si një formë “komisioni alternativ”, duke pretenduar se klientët ishin të informuar dhe kishin nënshkruar një deklaratë ku e pranonin. Por BKT nuk ofroi asnjë dokument konkret për të provuar ekzistencën e një paralajmërimi të plotë dhe të qartë për klientët se pagesa nuk përbënte mbrojtje të sigurimit siç e ofron sigurimi i jetës nga kompanitë e licensuara. 

“Në lidhje me pyetjen e parë rreth ‘’half payment’’, tema ju që ju parashtroni i përket një periudhe para 14-16 vitesh dhe i referohet një praktike të ndjekur nga disa klientë, të cilët zgjidhnin të mos bënin një policë sigurimi jete gjatë marrjes së një kredie. Bankat zakonisht kërkojnë një sigurim jete për të mitiguar rrezikun e mospagesës së kredisë në rastin e humbjes së jetës së huamarrësit, duke u mbrojtur kështu kundër mospagimit të mundshëm të kredisë. Megjithatë, gjatë asaj periudhe, klientët mund të zgjidhnin të mos merrnin një sigurim jete duke pranuar norma interesi më të larta ose tarifa shtesë. Në raste të tilla, kërkohej një deklaratë e nënshkruar nga klienti, ku konfirmohej vendimi i tij për të mos përfituar nga mbulimi me sigurim jete dhe për të paguar një komision alternativ” – thotë BKT në përgjigjen për Zoom.al

Por “Half Payment” rezulton të jetë një formë tarifimi pa shërbim real dhe mund të përbëjë mashtrim sistematik nëse nuk është shoqëruar me një kontratë apo paralajmërim të qartë se pagesa nuk mbulon asnjë rrezik.

Një tjetër pjesë e denoncimit ngre alarmin për përfitimin e 15% të primit të sigurimit nga BKT për çdo policë sigurimi të lidhur me klientët e saj. Në mënyrë të drejtpërdrejtë kjo përbën ushtrimin e një aktiviteti ndërmjetësimi në sigurime, pa licencë.

Siç vërteton investigimi i Zoom.al, BKT nuk ishte e licencuar për të ofruar produkte sigurimi deri në 2016, por përfitonte para në mënyrë indirekte nga “kompensime alternative”, një praktikë kjo që ushtrohej pa pasur një licensë nga autoritetet financiare shqiptare. 

Këtë fakt e pohoi vetë Banka e Shqipërisë (BSH) në përgjigje të disa pyetjeve për Zoom.al. 

“Aktiviteti i ndërmjetësimit në sigurime rregullohet nga kuadri ligjor dhe rregullator në fuqi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), i cili është institucioni kompetent për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e këtyre veprimtarive.Në këtë kuadër, ju bëjmë me dije se, “Banka Kombëtare Tregtare” është licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në datë 27.12.2016 (Licenca Nr. 18, datë 27.12.2016, miratuar me Vendimin Nr. 206, datë 27.12.2016) për të ushtruar veprimtarinë e ndërmjetësimit në sigurime dhe prej muajit shtator 2020 dhe në ndërmjetësimin e sigurimeve të Jo-jetës së klientëve të saj” – thuhet në përgjigjen e BSH. 

Megjithatë, në praktikat e saj të brendshme, duke kufizuar lirinë e klientit për të zgjedhur kompaninë e sigurimit, banka përfitonte direkt nga sigurimet e detyruara. Përfitimet nga sigurimet, pa licensë dhe pa transparencë të plotë ndaj klientëve përbëjnë një skemë përfituese, konflikt interesi dhe ndërhyrje në treg nga BKT. 

Çfarë dihet deri tani nga denoncimi?

  1. Klientët ishin të detyruar të merrnin policë sigurimi nga shoqëritë me të cilat kishte marrëveshje BKT.
  2. Për çdo policë, BKT përfitonte 15% të primit nga kompania e sigurimit, një komision i konsiderueshëm.
  3. Në vend të sigurimit të jetës BKT u ofronte klientëve skemën “Half Payment”, e cila nuk mbulonte sigurimin e jetës si kompanitë e licensuara. 

Problemet e skemës “Half Payment”

  1. Sipas ligjit, klienti ka të drejtë të zgjedhë vetë kompaninë e sigurimit.
  2. BKT nuk ishte e licencuar për të ndërmjetësuar sigurime deri në fund të 2016, por ka përfituar për disa vite me radhë nga një aktivitet i palicensuar. 
  3. Kjo praktikë bie ndesh me ligjin për mbrojtjen e konsumatorit dhe me shumë gjasë edhe me rregulloret e AMF për ndërmjetësimin e paligjshëm.

Në këtë mënyrë, rezulton se përpara vitit 2016, BKT mund të ketë ushtruar aktivitet të ndërmjetësimit sigurimi në mënyrë të paligjshme, përfitimi i komisioneve është i dyshimtë dhe përbën konflikt interesi, pasi zgjedhja e kompanisë i imponohej klientit.

Banka e Shqipërisë, në vend që të ndërmerrte një qëndrim të prerë ndaj një praktike të tillë që bie ndesh me mbrojtjen e konsumatorit apo të merrte masa administrative ndaj kësaj skeme të BKT, u mbështet në konceptin e “autonomisë së bankave tregtare”. E vetmja vërejtje e BSH është se klientët duhet të ishin informuar se pagesa “nuk zëvendëson sigurimin e jetës”.

Por pyetjet që mbeten për BSH janë: A i ka kontrolluar ajo praktikat për të parë nëse klientët kanë nënshkruar deklarata të tilla? A janë këto deklarata të arkivuara dhe të auditueshme? A është e ligjshme mbledhja e një pagese për një shërbim të tillë. 

As BSH, as AMF nuk kanë hetuar me thellësi nëse BKT ka përfituar në mënyrë të padrejtë komisione në vite kur kjo praktikë nuk lejohej ligjërisht.

Një rast për veprime nga klientët dhe SPAK

Nëse qytetarët kanë paguar për një mbrojtje që nuk e kanë marrë kurrë, duhet të kenë të drejtën të kërkojnë rimbursim nga BKT. Dhe nëse BKT rezulton se ka përfituar në mënyrë të paligjshme dhe abuzive përmes sigurimeve, duhet të përgjigjetdhe t’i kthejë paratë që u ka marrë klientëve. 

Ka disa hapa që klientët e BKT dhe institucionet duhet të ndjekin. 

  1. Zoom.al u bën thirrje të gjithë klientëv të BKT që kanë marrë kredi gjatë viteve 2009–2013 të kërkojnë historikun e llogarive dhe të kontrollojnë për shënimin “half payment”. Nëse ai ekziston, ata duhet të kërkojnë sqarim dhe rimbursim. Nëse banka nuk reagon, duhet t’u drejtohen autoriteteve ligjzbatuese. 
  2. Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare duhet të hetojë ndërmjetësimin e sigurimeve përpara vitit 2016.
  3. SPAK duhet të jetojë nëse kemi të bëjmë me mashtrim masiv ndaj qytetarëve dhe favorizim institucional të një subjekti financiar.
  4. Banka e Shqipërisë duhet të rishqyrtojë të gjithë marrëdhënien e saj me BKT në periudhën përkatëse. 

Zoom.al po e ndjek këtë skemë duke kërkuar informacione dhe prova nga të gjitha institucionet që garantojnë funksionimin e institucioneve financiare dhe që mbrojnë konsumatorët. Paralelisht redaksia jonë po ndjek edhe denoncimin se një drejtuese e BKT përfitoi një pagesë të majme pasi kaloi në një pozicion drejtues në Bankën e Shqipërisë. 

Gjithashtu Zoom.al u bën thirrje të gjithë klientëve të BKT që, nëse keni dokumente, prova apo dëshmi për praktika të ngjashme, të na shkruajnë në adresën [email protected], duke premtuar ruajtjen e anonimatit. /Zoom.al

Postime të lidhura