zoom

Ekonomi

Paratë që ikin nga Shqipëria: Financimet e BKT për kompanitë e pronarit Ahmet Çalik jashtë vendit, mes ligjit dhe konfliktit të interesit

Paratë që ikin nga Shqipëria: Financimet e BKT për kompanitë e pronarit Ahmet Çalik jashtë vendit, mes ligjit dhe konfliktit të interesit

 “Zoom.al hedh dritë mbi një sistem të mbyllur të financimeve të BKT (Banka Kombëtare Tregtare ndaj kompanive të lidhura me Çalık Holding, me pronar Ahmet Çalik, jashtë Shqipërisë, duke ngritur pyetje mbi ligjshmërinë, konfliktin e interesit dhe rolin e institucioneve mbikëqyrëse”


Nga redaksia investigative e Zoom.al

Skema e financimeve të padukshme: Në një treg financiar të vogël si ai shqiptar, lëvizjet e mëdha rrallë mbeten të fshehta për ata që dinë ku të shikojnë. Prej disa muajsh, Zoom.al ka investiguar një fenomen të veçantë dhe shqetësues në sistemin bankar: financime nga Banka Kombëtare Tregtare për kompani të lidhura me pronarin e saj, grupin turk Çalık Holding, jashtë territorit shqiptar.

A janë ato të ligjshme?

BKT është banka më e madhe në Shqipëri për nga volumi i aktiveve dhe depozitave, por në të njëjtën kohë është një bankë private në pronësi të një grupi të vetëm, me interesa të përqendruara dhe me lidhje të forta ekonomike dhe politike në Turqi dhe së fundi edhe në Shqiëpri. Ky fakt ka rënë më parë nën vëzhgimin e strukturave të inteligjencës financiare shqiptare, të cilat kanë ndërmarrë disa veprime, por që kanë ngritur dyshime se janë të mjaftueshme.

Sipas dokumenteve që Zoom.al ka verifikuar dhe burimeve të afërta me institucionet rregullatore, BKT ka financuar përmes kredive me vlera të mëdha kompani të grupit Çalık, si “GAP İnşaat” dhe “Ersan Transport”, të regjistruara jashtë Shqipërisë, përfshirë kompani në juridiksione me risk të lartë (offshore) dhe me pronësi përfundimtare të paqartë.

Çfarë dimë deri tani?

  • Financime jashtë Shqipërisë janë kryer nga BKT për kompani të lidhura me Çalık Holding, siç rezulton nga burime të pavarura dhe siç është konstatuar më parë edhe nga Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave.
  • Këto kompani përfituese, sipas dokumenteve që ka verifikuar Zoom.al, përfshijnë emra si “GAP İnşaat” dhe “Ersan Transport”, të cilat janë kompani turke të kontrolluara nga Çalık Holding, grupi që zotëron 100% të aksioneve të BKT-së.
  • Disa prej kompanive përfituese janë të regjistruara në juridiksione offshore, duke e bërë më të vështirë transparencën mbi pronësinë përfundimtare, një element kyç në luftën kundër pastrimit të parave.

Veprime në shkelje apo në kufijtë e ligjit? 

Ligji shqiptar dhe rregullorja e Bankës së Shqipërisë nuk e ndalojnë dhënien e kredive për kompani të lidhura me bankën, përfshirë vetë kompaninë mëmë, por e kufizojnë atë deri në 10% të kapitalit rregullator. Ligji kërkon që këto transaksionetë jenë me kushte tregu (arm’s length), të jenë të mbështetura me dokumentacion të plotë dhe të verifikueshëm, të përjashtojnë ndikimin e pronarit të bankës në vendimmarrje, të raportohen si “ekspozime ndaj palëve të lidhura” te Banka e Shqipërisë.

Nëse një nga këto kritere nuk respektohet, atëherë lind një situatë e rrezikshme ku banka mund të shndërrohet në arkë krediti për interesat private të aksionrrit të saj, në dëm të sistemit financiar vendas.


BKT, asnjë informacion mbi kompanitë, shumat dhe vendimarrjen

Në përgjigje të një sërë pyetjesh zyrtare të dërguara nga Zoom.al, BKT deklaroi se, “Banka është në përputhje të plotë me rregulloret dhe standardet ndërkombëtare për transaksionet me palë të lidhura dhe për luftën kundër pastrimit të parave.”

Por BKT nuk dha asnjë informacion mbi emrat konkretë të kompanive të financuara, vendet ku ato ndodhen, shumat e financuara, dokumentacionin që justifikon kreditë e dhëna dhe se kush i mori vendimet për dhënien e kredive. 

Një bankë që i jep kredi kompanive të pronarit të vet është në situatë të konfliktit të pastër interesi. Kjo nuk është e ndaluar me ligj, por është objekt i një monitorimi shumë të rreptë. Në këtë rast, BKT nuk ka sqaruar as nëse ka ndonjë dokumentacion të brendshëm që tregon se bordi ka vepruar në mënyrë të pavarur.

Ajo që bie në sy është një pjesë e përgjigjes, në të cilën thuhet se “asnjë kredi nuk ka rezultuar me probleme dhe të gjitha janë dhënë në kushte tregu”, një deklaratë kjo që, pa transparencë dhe pa një audit publik, mbetet e pavërtetueshme.

Çfarë ka thënë vetë BKT në përgjigjen për Zoom.al?

  • E pranon që financimi i kompanive mëmë lejohet deri në 10% të kapitalit rregullator.
  • Shprehet se të gjitha transaksionet janë të raportuara dhe janë bërë sipas rregullave të tregut.
  • Shmang të japë çdo të dhënë të verifikueshme mbi kompanitë përfituese, shumat e financimit, apo dokumentacionin mbështetës.
  • Thekson se nuk ka patur kurrë kredi me probleme ndaj kompanive të grupit Çalık, as në të kaluarën dhe as sot.
  • Deklaron se ka nivelin më të lartë të përputhshmërisë në luftën kundër pastrimit të parave.

Shteti, flamur të kuq ndaj BKT, por BSH e AMF heshtin

Megjithatë, përballë këtij pozicioni mbrojtës që ka marrë BKT në lidhje me këtë çështje, qëndron një fakt i pakundërshtueshëm: Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave ka vendosur masa ndaj BKT-së pikërisht për mungesë dokumentacioni dhe për transaksione me risk të lartë.Ajo ka konstatuar shkelje në raportimin e përfituesve përfundimtarë dhe në justifikimin e transaksioneve me kompani jashtë Shqipërisë.

Kjo është një provë që hedh poshtë pretendimin për “përputhshmëri të plotë” për të cilëtn flet BKT në përgjigjet e dhëna për Zoom.al dhe e fut rastin në një territor të mbushur me shqetësime rregullatore dhe dyshime të arsyeshme për konflikt interesi.

Kjo duket të jetë edhe arsyeja përse BKT u pozicionua hapur në këtë fushatë elektorale me Partinë Socialiste në pushtet, siç ka raportuar më parë Zoom.al. 

Lexo këtu: BKT NË SHËRBIM TË PARTISË SOCIALISTE – BANKA QË DEMOKRATËT DUHET TË BOJKOTOJNË URGJENTISHT!

Banka e Shqipërisë nuk ka bërë asnjë deklaratë publike mbi këto lëvizje. Nuk ka as raportime zyrtare për sanksione ndaj BKT-së për këtë çështje specifike. E njëjta gjë vlen për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe për Ministrinë e Financave.

Heshtja e këtyre dy institucioneve financiare shton dyshimet dhe minon besimin e publikut. Sepse nëse askush nuk mban përgjegjësi për atë që ndodh me miliarda lekë depozita qytetarësh dhe askush nuk tregon se ku shkojnë ato e për çfarë interesash përdoren, si mund të garantohet stabiliteti financiar? 

Një bankë, një pronar, shumë interesa

Në çdo sistem bankar të shëndetshëm, diversiteti i pronësisë dhe pavarësia institucionale e bordit janë garanci kundër abuzimeve. Por kur një bankë ka vetëm një pronar të vetëm, siç është rasti i BKT-së me Çalık Holding, dhe kur ky pronar përfiton financime të drejtpërdrejta në vend tjetër përmes bankës në Shqipëri, situata shndërrohet në një rrezik.

Pse ka rëndësi kjo çështje?

Sepse BKT është një bankë shqiptare, që funksionon me depozitat e qytetarëve shqiptarë. Edhe pse pronari është turk, burimi i financimeve janë fondet e klientëve vendas, e shqiptarëve. Çdo ekspozim i rrezikshëm i bankës jashtë vendit, për interesa të grupit pronar, përbën një rrezik të drejtpërdrejtë për sistemin bankar shqiptar.

Në thelb, po përdoren kursimet e qytetarëve shqiptarë për të financuar bizneset private të një grupi të huaj, në mungesë të transparencës dhe me veprime që ngrenë dyshime. Dhe kjo nuk është vetëm çështje teknike, por është edhe çështje besimi.

Paratë tona që nuk janë më tonat

Zoom.al nuk pretendon të gjykojë ligjshmërinë e çdo transaksioni, por është e drejtë legjitime e publikut të dijë se, ku shkojnë paratë që depoziton në bankë, kush i kontrollon vendimet që merren për ato para, a janë institucionet shqiptare në dijeni të këtyre zhvillimeve dhe a kanë marrë masat e duhura?

Kur një bankë shqiptare, me kapital të huaj, shndërrohet në mjet për të transferuar kapitale drejt kompanive të pronarit të saj jashtë vendit, pyetjet që lindin janë janë këto veprime të ligjshme dhe a është kjo e drejtë? 

Transparenca është armiku më i madh i abuzimit dhe në emër të saj Zoom.al do të vazhdojë ta ndjekë këtë çështje, duke kërkuar dokumente, duke ndjekur gjurmët e parave dhe duke u përballur me institucionet përgjegjëse që monitorojnë dhe kontrollojnë tregun bankar, duke besuar se askush nuk është mbi llogaridhënien, as bankat dhe as pronarët e tyre.

Postime të lidhura