zoom

Lajme

Spaho shpërthen ndaj drejtuesve të PD: Me këtë ekip, më kollaj shkohet në Hënë sesa në pushtet

Spaho shpërthen ndaj drejtuesve të PD: Me këtë ekip, më kollaj shkohet në Hënë sesa në pushtet

Ish-deputeti demokrat Edmond Spaho ka reaguar ashpër pasi emri i tij mungoi në listën e kandidatëve për Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, duke deklaruar se ishte larguar vetë nga strukturat drejtuese pas humbjes së thellë të zgjedhjeve të 11 majit 2025.

Në një deklaratë publike, Spaho thotë se dha dorëheqjen nga Kryesia, Këshilli Kombëtar dhe Sekretariati i PD-së si akt përgjegjësie politike për rezultatin që ai e konsideron katastrofik për opozitën.

Sipas tij, pretendimet për manipulim apo vjedhje zgjedhjesh po përdoren nga drejtuesit aktualë të partisë për të shmangur përgjegjësinë për humbjen dhe për të ruajtur pozitat e tyre politike.

“Me këtë sjellje politike dhe me këtë ekip drejtues që ka PD, më kollaj shkon në Hënë sesa vjen në pushtet”, shprehet Spaho.

Ai akuzon drejtuesit e opozitës se kanë vendosur interesat personale mbi ato të partisë dhe të qytetarëve, ndërsa shton se Partia Demokratike ndodhet në një prej periudhave më të vështira të historisë së saj politike.

Reagimi i Spahos

Për të gjithë ata të cilët më kanë kontaktuar dhe më pyesin se përse emri im nuk ishte në listat e kandidatëve për Këshillin Kombëtar të PD.

Pas zgjedhjeve katastrofike te 11 Majit 2025, unë jam i vetmi individ në PD që jam dorëhequr nga Kryesia, Këshilli Kombëtar dhe Sekretariati i PD.

E kam marrë këtë veprim si shenjë e përgjegjësisë për humbjen e thellë që PD pësoi në këto zgjedhje duke mbetur 300 mijë vota prapa PS.

Pretendimet për “vjedhje” të zgjedhjeve janë veç maskaradë e evitimit të përgjegjësive për humbjen më të thellë të PD ka pësuar nga themelimi i saj.

Kjo maskaradë bëhet vetëm për të ruajtur postet dhe privilegjet e drejtuesve aktuale të opozitës, të cilët vazhdojnë me paturpësi të shiten si luftëtare dhe misionare të rikthimit të PD në pushtet.

Me keqardhje të thellë, por me këtë sjellje politike dhe me këtë ekip drejtues që ka PD, më kollaj shkon në Hënë se sa vjen në pushtet.

PD sot është në ditën e saj me të zezë, e mbërthyer nga një grup njerëzish pa parime e pa ndërgjegje, që interesat e tyre i kanë vënë mbi ato të vendit dhe shoqërisë.

Ata të jenë të bindur, që sado ta zgjasin bashkëpunimin me Ramën dhe agoninë e këtij regjimi, një ditë do të japin llogari për vuajtjet që kanë shkaktuar dhe vjedhjet që i kanë bërë këtij populli dhe këtij vendi./ Zoom.al

Postime të lidhura