Aplikacion
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka kritikuar ashpër opozitën, duke e cilësuar të paaftë për të ndryshuar situatën politike në vend. Në një reagim publik, ai ka ironizuar premtimet e vazhdueshme për protesta që sipas tij shpallen si vendimtare, por që përfundojnë pa rezultat.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spaho iu referua protestës së zhvilluar një ditë më parë përpara Kuvendit, e cila ishte paralajmëruar nga drejtuesit e opozitës si një moment i rëndësishëm për përballjen me qeverinë. Sipas tij, mobilizimi rezultoi shumë më i vogël nga sa ishte premtuar, duke u kthyer në një tubim të kufizuar militantësh që u shpërndanë pas përfundimit të seancës parlamentare.
Ai thekson se ndërkohë kryeministri Edi Rama vijon të qëndrojë në krye të qeverisë, ndërsa nga ana tjetër opozita vazhdon të paralajmërojë protesta të reja duke i cilësuar gjithmonë si “kilometrin e fundit” për qeverinë.
Në reagimin e tij, Spaho shprehet se, me këtë mënyrë drejtimi të opozitës, Rama mund të qëndrojë në pushtet edhe për shumë vite të tjera.
“Opozita e paaftë të ndryshojë gjendjen. E disata herë që premton se kjo protestë rrëzon Ramën. Rama vazhdon mbretërimin. Kryetari i opozitës njofton protestën e radhës.
Nga sot, në sajën tuaj, Edi Rama nuk është me Kryeministër. Jemi në kilometrin e fundit! Me këtë drejtues opozite Ramën do e kemi në qafë edhe për shumë vjet. Njëra dorë lan tjetrën, të dyja lajnë fytyrën”, shkruan Spaho./ Zoom.al