Aplikacion
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka shprehur qëndrimin e tij kundër protestës që po zhvillohet në Tiranë, duke deklaruar se në kushtet aktuale kryeministri Edi Rama duhet të vijojë drejtimin e qeverisë për të garantuar vazhdimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Gjatë një interviste në emisionin “Breaking” në Top News, Spaho u shpreh se protesta është larguar nga qëllimet fillestare dhe se në të janë përfshirë grupe të ndryshme me interesa të ndryshme politike dhe ideologjike.
Sipas tij, pjesë e organizimit janë edhe ish-zyrtarë të Partisë Socialiste, të cilët kanë mbetur jashtë strukturave të pushtetit dhe kërkojnë të rikthehen në skenën politike. Ai i cilësoi këta persona si ish-funksionarë të pakënaqur, duke pretenduar se ata po tentojnë të ndikojnë në zhvillimet politike brenda mazhorancës.
Spaho deklaroi se, ndonëse ka qenë kritik ndaj qeverisjes së Edi Ramës dhe ka menduar se ai duhej të largohej më herët nga drejtimi i vendit, situata aktuale kërkon stabilitet politik. Sipas tij, një ndryshim i menjëhershëm i qeverisë do të rrezikonte procesin e negociatave me Bashkimin Europian.
“Qëndrimin ndaj protestës e kam shprehur prej 1 muaji dhe jam plotësisht kundër, sepse aty është një konglomerat njerëzish me interesa të caktuara, që u nisën gjoja për Zvërnecin dhe kanë përfunduar me kërkesa të grupeve të caktuara fetare, neomarksiste, vullnetarëve të Vetëvendosjes nga Prishtina dhe nga Maqedonia e Veriut, hoxhollarët nga këto dy vende, Sorosistët apo LGBTQI+.
Janë mbledhur dhe kërkojnë të ndryshojnë sistemin politik, bile kanë ardhur edhe proletarë nga vende të tjera për të marrë pjesë. Këta janë pakica, shumica janë gati 2 mln që votojnë në Shqipëri dhe para 1 viti i dhanë 83 mandate Ramës. Sigurisht, aty ka edhe qytetarë naivë aty në protestë. Unë kam thënë se Rama i ka bërë shumë të këqija vendit dhe duhej të kishte ikur me kohë.
Por do t’i bëjë një dëm shumë më të madh nëse jepet ndaj presionit të këtyre grupeve, që nuk dihet kush janë, çfarë programi kanë. Protesta e ka lidershipin, por ka frikë të dalë. Janë gjithë karrigethyerit e PS: ministra, drejtorë doganash, tatimesh, të cilëve koha u theu karrigen dhe dolën të dështuar. Këta e organizojnë, bashkë me grupet që përmenda më lart, që kanë interesat e tyre.
Ata synojnë të marrin PS, të zgjedhin një kryeministër të ri dhe të vazhdojë historia e revolucionit. Rama është i domosdoshëm të vazhdojë për hir të integrimit në BE. Kemi një vit përpara për të mbyllur kapitujt dhe nëse këtë vit do ta shpenzojmë për qeverinë e 500 petritave dhe të nisim të merremi me mustaqet e Çelos, integrimi në BE merr fund një herë e mirë”, tha Spaho./ Zoom.al