Aplikacion
Ilir Proda, duke shfrytëzuar postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, urdhëroi pas protestës së 22 dhjetorit, të organizuar nga Partia Demokratike, që disa prej pjesëmarrësve të arrestoheshin për akte dhune dhe prishje të qetësisës publike.
Por, tashmë është fakt që arrestimi i tyre ishte i paligjshëm dhe i pambështetur në prova. Policët e Ilir Prodës u rrëzuan nga Gjykata e Tiranës, e cila vendosi sot se ndalimi i katër qytetarëve pas protestës kombëtare të Partisë Demokratike, të mbajtur më 22 dhjetor përpara Kryeministrisë, nuk ishte i ligjshëm.
Vendimi u mor gjatë seancës së vlerësimit të masës së sigurisë, ku u rrëzua kërkesa e prokurorisë dhe u urdhërua lirimi i menjëhershëm i të ndaluarve.
Sipas vendimit të gjykatës, arrestimet nuk janë mbështetur në prova konkrete dhe nuk përmbushnin kriteret ligjore të flagrancës. Katër personat e ndaluar janë: Albin Kryeziu, Erlis Sina, Xhekson Dedaj dhe Artan Hysenaj.
Avokatja Eda Grimci, e cila përfaqësoi disa nga protestuesit, deklaroi se provat e paraqitura nga policia dhe organi i akuzës nuk përputheshin me identitetin e personave të arrestuar. Sipas saj, materialet filmike të dorëzuara në gjykatë ishin pamje të regjistruara nga celularët e efektivëve civilë, por në asnjë prej tyre nuk shfaqeshin të ndaluarit.
Ajo theksoi se procesverbalet nuk ishin hartuar në momentin e ndalimit dhe se fillimisht qytetarëve u ishte thënë se po mbaheshin vetëm për verifikim. Vetëm pas disa orësh, sipas avokates, kishte ardhur urdhri nga Drejtoria e Policisë së Shtetit për arrestimin e tyre.
Një element që e rëndon më tej situatën, sipas mbrojtjes ligjore, është fakti se një nga të ndaluarit ishte shtetas i Kosovës. Avokatja sqaroi se ai kishte ardhur në Tiranë vetëm për të bërë një fotografi me Sali Berishën dhe nuk kishte marrë pjesë në asnjë akt dhune apo përplasje me policinë. Sipas saj, prania e tij në protestë nuk kishte karakter politik, por simbolik dhe patriotik.
Nga verifikimet e bëra në seancë, u provua se në momentin kur policia pretendonte se kishin ndodhur veprime të dhunshme, ky shtetas ndodhej në selinë e Partisë Demokratike dhe jo në vendin e ngjarjes. Arrestimi i tij ishte kryer pasi protesta kishte përfunduar dhe në një zonë tjetër të qytetit.
Gjykata, pasi shqyrtoi të gjitha pamjet filmike, deklaratat dhe procesverbalet, arriti në përfundimin se arrestimet ishin kryer pa prova dhe në shkelje të ligjit. Për këtë arsye, ajo konstatoi paligjshmërinë e ndalimit, urdhëroi lirimin e menjëhershëm të katër qytetarëve dhe hodhi poshtë çdo masë sigurie ndaj tyre.
Ky rast tregon se ndalimet janë kryer për arsye statistikore dhe jo mbi bazë faktesh konkrete e që policia e Ilir Prodës përdoret edhe për qëllime politike, për të goditur mbështetës të partive kundërshtare, ndërkohë që protestuesit ushtruan të drejtën e tyre për protestë./ Zoom.al
Spanja i rremben titujt Lionel Messi-t, Rodri shpallet lojtari i turneut në Kupën e Botës