zoom

Aktualitet

Rasti gjyqtares Irena Gjoka, ku ndryshon drejtësia e re nga ajo e vjetra?

Rasti gjyqtares Irena Gjoka, ku ndryshon drejtësia e re nga ajo e vjetra?

Rasti i gjyqtares Irena Gjoka po e vendos Reformën në Drejtësi përballë pasqyrës që ajo ka pretenduar se ka thyer, atë të pandëshkueshmërisë dhe standardeve të dyfishta.

140 kartonat e parlamentit, të unifikuar si asnjëherë më parë në një grusht, me hir e pahir, kishin për qëllim pikërisht të godisnin një gjysor të korruptuar deri në palcë, që merrte udhëra politikë, që e përdorte ligjin ndryshe për qytetarët e thjeshtë e ndryshe për njerëzit e pushtetshëm të politikës, biznesit, drejtësisë etj. 

Në një vend ku drejtësia mbeti për vite me radhë peng i korrupsionit dhe politikës, Reforma në Drejtësi u pa një operacion i domosdoshëm për të rikthyer besimin e qytetarëve tek shteti. 

Por një gjyqtare po e kthen përmbys jo vetëm qëllimin e reformës, por perceptimin që publiku ka nisur të krijojë mbi drejtësinë e re. 

Irena Gjoka është dënuar në Greqi në vitin 2005 për falsifikim dokumentesh dhe tentativë kalimi të paligjshëm të kufirit. Ky fakt nuk është deklaruar asnjëherë në formularët e vetëdeklarimit gjatë procesit të vetingut nga ajo vetë. Megjithatë, pavarësisht se rezultonte e dënuar, kjo gjyqtare jo vetëm që ka kaluar filtrat e Vetting-ut, por vazhdon të qëndrojë në sistem.

Në vend që sistemi gjyqësor, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë apo Prokuroria e Përgjithshme të reagonin me shpejtësi, i gjithë aparati shtetëror po fshihet përballë këtij rasti skandaloz. 

Fshehja e dënimit nga gjyqtarja Irena Gjoka nuk është një një gabim administrativ apo një ngatërresë të identitetit. Ky është një dënim penal, i marrë në një vend të BE-së, i mbajtur i fshehur, në kundërshtim me ligjin për vetëdeklarimin, me qëllim që Irena Gjoka të mbetej në sistemin e drejtësisë. 

Irena Gjoka ia doli ta kalojë Vetting-un dhe rrjetat e instancave shtetërore që u morën me pastërtinë e figures sëmagjistratëve nuk arritën ta kapinin. Por sot, të gjithë institucionet janë në dijeni të asaj që ka ndodhur dhe se ajo ka fshehur një denim. Ose të paktën e dinë që dënimi ekziston. 

Do të mjaftonte ky fakt që ajo së paku të pezullohej menjeherë. 

Por Këshilli i Lartë Gjyqësor është duke “pritur verifikime”. Prokuroria e Përgjithshme “po kërkon dokumentacion”. 

Në gjithë këtë teatër, qytetarët nuk kanë nevojë të presin si KLGJ e Prokuroria. Ata e kanë kuptuar thelbin, që është shumë i thjeshtë: një gjyqtare me precedent penal, që ka mashtruar me vetëdije sistemin, është ende në detyrë. Dhe për aq kohë sa është atje, reforma është kthyer përmbys. Qytetarët po e shohin se si po vazhdon të përdoret ligji, ndryshe për ata dhe ndryshe për njerëzit e pushtetshëm. 

Nëse KLGJ nuk e shkarkon menjëherë Irena Gjokën, atëherë ky institucion ka legjitimuar të gjithë kritikët që kanë parë tek Reforma në Drejtësi një tentativë për të kaluar kapjen e drejtësisë nga njëra dorë në një tjetër. “Nëse dikur e kontrollonte Berisha, sot e kontrollon Rama”, është perceptimi që po krijohet në publik përditë e më shumë. 

Sot drejtësia, përballë Irena Gjokës, duket po aq selektive sa ishte në kohën e Gjin Gjonit. Rasti i gjyqtares së GJKKO po tregon se ndëshkimi i drejtësisë dhe ligjit nuk është njësoj për të gjithë. 

Nëse Irena Gjoka qëndron në sistem, Reforma e ka humbur përfundimisht kuptimin e saj dhe besimi të publiku do të bjerë me shpejtësi, për t’u kthyer tek drejtësia e para vitit 2015. 

Mund të ndodhë që një gjyqtare të ketë mashtruar, por një sistem që vazhdon ta lejojë mashtrimin po kryen një krim më të rëndë. 

Irena Gjoka e ka vënë Reformën në Drejtësi përballë pasqyrës së të vërtetës dhe një sprove ekzistenciale, që duhet të ndajë se ku ndryshon drejtësia e re nga ajo e vjetra. /Zoom.al

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) nuk ka ndërmarrë ende veprime për shkarkimin e gjyqtares Irena Gjoka, pavarësisht zbulimit të një dënimi penal të saj në Greqi në vitin 2005 për falsifikim dokumentesh dhe tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit. Ky dënim, i cili përfshinte një burgim prej 3 muajsh dhe një gjobë prej 1,500 eurosh, nuk ishte deklaruar nga Gjoka në formularët e vetëdeklarimit gjatë procesit të vetingut, duke ngritur shqetësime serioze për integritetin e saj profesional . 

Megjithatë, KLGJ nuk ka marrë masa të menjëhershme për shkarkimin e saj. Një nga arsyet mund të jetë nevoja për një verifikim të plotë dhe të kujdesshëm të fakteve dhe dokumentacionit përkatës. Pas publikimit të dokumenteve që konfirmojnë dënimin e Gjokës, Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikimet dhe i ka kërkuar KLGJ-së të vërë në dispozicion dosjen e saj personale, përfshirë edhe formularin e vetëdeklarimit . 

Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se çdo vendim për shkarkimin e një gjyqtari duhet të bazohet në një proces të drejtë dhe të pavarur, duke respektuar të gjitha procedurat ligjore dhe të drejtat e palës së interesuar. Në këtë kontekst, KLGJ mund të jetë duke pritur përfundimin e hetimeve dhe verifikimeve të nevojshme për të marrë një vendim të informuar dhe të drejtë.

Në përfundim, ndërsa zbulimi i dënimit të padeklaruar të Irena Gjokës ka ngritur shqetësime të mëdha për integritetin e saj si gjyqtare, KLGJ nuk ka ndërmarrë ende veprime për shkarkimin e saj, ndoshta për shkak të nevojës për një verifikim të plotë dhe të kujdesshëm të fakteve dhe dokumentacionit përkatës.

Postime të lidhura