zoom

Aktualitet

Bushati ngre dyshime: Si u tolerua banda e Troplinëve deri pas zgjedhjeve?

Bushati ngre dyshime: Si u tolerua banda e Troplinëve deri pas zgjedhjeve?

Analisti Andi Bushati ka ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si SPAK ka menaxhuar çështjet e ndërhyrjeve kriminale në zgjedhjet në Durrës dhe Shkodër.

Në një intervistë për edicionin e pasdites në SYRI TV, Bushati kritikoi ashpër kreun e SPAK, Altin Dumani, i cili deklaroi se “kriminaliteti dhe zgjedhjet janë çështje të ndara”, duke nënvizuar se kjo qasje rrezikon të fshehë ndërhyrjet politike pas fasadës së drejtësisë.

“Nëse SPAK e ka pasur në vëzhgim bandën e Troplinëve për muaj me radhë, si ka mundësi që nuk doli asnjë provë për lidhjen e tyre me blerjen e votës? A duhet të ngremë dyshime këtu?”, u shpreh Bushati, duke përmendur edhe denoncimet publike të opozitës dhe gazetarëve në terren për lidhjet e kësaj bande me kandidatë të Partisë Socialiste në Durrës.

Ai shtroi disa pyetje thelbësore:

  • Si arriti të arratiset personazhi kryesor i bandës?
  • Pse u vonua ekzekutimi i urdhrave të arrestimit, kur procedura kishte nisur që në shkurt?
  • Përse gjyqtarja Irena Gjoka vonoi për një muaj e gjysmë firmosjen e masave, ndërkohë që në raste të tjera ka reaguar menjëherë?

Sipas Bushatit, nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë. Ai kujtoi edhe rastin e Bajrave në Shkodër, të cilët u liruan përpara zgjedhjeve vendore dy vite më parë, duke shtuar se “SPAK bëri sikur i goditi, ndërkohë që qyteti u mbajt nën presion”.

Bushati e përmbylli analizën me një pyetje:

“A është drejtësia duke mbuluar politikën? Sepse nëse kjo është e vërtetë, kemi përballë një krizë shumë më të thellë sesa thjesht kriminalitet zgjedhor.”

Postime të lidhura