Aplikacion
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste se çmimi i karburanteve pritet të ndjekë një tendencë rritjeje në periudhën në vijim.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se qeveria ka rikthyer funksionimin e bordit të transparencës, një mekanizëm që sipas tij synon të monitorojë dhe kontrollojë luhatjet e çmimeve në tregun e karburanteve.
Ai shtoi se ekzekutivi ka parashikuar edhe një masë lehtësuese për qytetarët në rast se çmimi i naftës kalon një prag të caktuar. Sipas deklaratës së tij, nëse çmimi i naftës tejkalon nivelin prej 220 lekësh për litër, do të aplikohet një ulje prej 20% e akcizës së karburantit.
Rama nënvizoi se këto masa synojnë të zbusin ndikimin e rritjes së çmimeve në jetën e qytetarëve, në një kohë kur tregjet ndërkombëtare mbeten të paqëndrueshme dhe ndikojnë drejtpërdrejt në koston e energjisë dhe karburanteve.
“Çmimi i naftës jo vetëm që është rritur, por parashikohet të rritet edhe më tutje. Ndaj kemi vënë në lëvizje bordin e transparencës, e kemi përdorur edhe më parë. Po ashtu kemi marrë një vendim për çdo ditë kur çmimi do të kërcejë mbi tavanin e 220 lekëve do të ketë ulje me 20% të akcizës së naftës”, tha Rama nga mbledhja e Asamblesë së PS.
Aktualisht në tregun vendas nafta po tregtohet deri në 217 lekë/litër dhe ka pësuar një rritje prej thuajse 40 lekësh para se të niste konflikt SHBA-Izrael me Iranin./ Zoom.al