Aplikacion
Tregu vendas i hidrokarbureve është përfshirë nga një valë e re shtrenjtimi gjatë ditës së sotme. Çmimi i naftës ka pësuar një rritje të menjëhershme me 10 deri në 14 lekë për litër, duke bërë që në tabelat e pikave të karburantit shifrat të arrijnë deri në 214 lekë.
Ky është niveli më i lartë i regjistruar që prej shkurtit, ku nafta tregtohej mesatarisht me 170-175 lekë.

Etheve të rritjes i ka dhënë zjarri situata gjeopolitike. Sulmet e fundit ndaj infrastrukturës energjetike kanë krijuar frikë për një bllokim global të furnizimit:
Shumë qytetarë pyesin pse karburanti shtrenjtohet menjëherë, pa u mbaruar rezervat e blera me çmim të vjetër. Grosistët janë nën akuzë për abuzime. Por ata thonë se pasojat vijnë nga taksat që paguhen bazuar në çmimin e bursës “Plats” në ditën kur malli del në treg, pavarësisht se kur është blerë ai.
Shoqata e Hidrokarbureve thotë gjithashtu se mbi 100 lekë për çdo litër janë taksa që i kalojnë shtetit. Praktikisht, gjysma e çmimit që paguajnë qytetarët është taksë.
Partia Demokratike bëri një propozim sot për uljen e çmimit në 175 lekë për litër, por projektligji nuk mori mbështetjen e qeverisë, e cila tha se nuk do ta miratojë atë.
Në kushtet e kësaj krize, Shoqata e Hidrokarbureve ka përsëritur kërkesën për heqjen e taksës së qarkullimit.
“Heqja e kësaj takse do të ule automatikisht çmimin me 30 lekë për litër,” thonë ekspertët e fushës.
Megjithatë, deri më tani, qeveria është shprehur kundër kësaj mase, duke e lënë barrën e rritjes së pandalshme të bursave plotësisht mbi konsumatorin final. /Zoom.al