Aplikacion
Qeveria pritet të ringrejë Bordin e Transparencës për monitorimin e çmimeve të karburanteve, ndërsa parashikon edhe uljen e akcizës së naftës me 20%.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur në një intervistë për mediat se, për shkak të zhvillimeve të fundit në tregjet ndërkombëtare, është vendosur rikthimi i Bordit të Transparencës, si dhe ndërhyrja në nivelin e akcizës.
“Duke parë ecurinë në ditët e fundit, kemi vendosur të ringremë Bordin e Transparencës dhe të ndërhyjmë edhe në nivelin e akcizës, duke e reduktuar me 20% nga 39.6 lekë që është aktualisht”, deklaroi ministrja.
Sipas saj, këto masa do të kalojnë me procedurë urgjente në Këshillin e Ministrave.
“Dua të bëj të qartë se si do të jetë regjimi në të cilin do të futemi. Kemi një formulë që është në fuqi: marrim parasysh çmimin e bursës Platts, taksat, dhe për çmimin e shumicës do të ketë marzh 3 lekë për litër, ndërsa për çmimin e pakicës 12 lekë për litër. Me anë të këtij mekanizmi garantojmë se çmimet do të jenë të kontrolluara dhe nuk do të ketë abuzim”, u shpreh ajo.
Ministrja sqaroi se çmimet e përcaktuara do të jenë çmime tavan dhe mbi to nuk do të lejohet tregtimi, duke paralajmëruar penalitete për shkelësit.
Duke iu referuar situatës së krijuar pas konfliktit në Lindjen e Mesme, Ibrahimaj theksoi se qeveria ka ngritur një taskforcë për monitorimin e tregut dhe se deri tani nuk janë evidentuar abuzime nga kompanitë.
“Deri tani ajo që kemi vëzhguar është se nuk ka pasur abuzim me çmimin. Çmimet sot në Shqipëri janë rritur me 24%, ndërsa në bursë janë rritur me 80%. Pra është spekulim të thuash se ka spekulim me çmimet. Marzhi i fitimit të kompanive është rreth 8-9%, i pranueshëm duke konsideruar kostot e të bërit biznes”, tha ministrja.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se po punohet për krijimin e një enti publik për sigurimin e rezervave të detyrueshme të karburantit.
Sipas saj, draftligji është gati për konsultim publik.