Aplikacion
Zvërneci është pjesë e një sistemi lagunor të mbrojtur, ku çdo ndërhyrje masive duhet të trajtohet me standardin më të lartë mjedisor, ligjor dhe shkencor.
Në Bashkimin Evropian, një projekt i tillë nuk mund të miratohet vetëm me premtime se “do të jetë ekologjik”. Direktiva Habitats 92/43/ EEC kërkon vlerësim të thelluar shkencor për çdo projekt që mund të ndikojë në një zonë të mbrojtur.
Këtu jetojnë dhe shtegtojnë specie të rralla. Nuk mjafton të thuhet se “flamingot do të jetojnë në paqe me resortin”.
Me çfarë studimi?
Me çfarë modeli ekologjik?
Me çfarë monitorimi afatgjatë?
Me çfarë garancie ligjore nëse dëmtohet habitati?
Kërkesa për transparencë
Nëse projekti pretendohet si “ekologjik”, atëherë duhet bërë publik:
Vlerësimi i plotë i ndikimit në mjedis
Studimet e ekspertëve të pavarur
Analiza kosto-përfitim: përfitime ekonomike kundrejt dëmit afatgjatë në ekosistem
Përgjegjësia konkrete nëse dëmi rezulton i pakthyeshëm.
Sepse prishja e një ekosistemi nuk matet vetëm me shifra investimi. Matet me ajrin, ujin, shëndetin dhe trashëgiminë që u lëmë fëmijëve pas.
Ne nuk jemi kundër zhvillimit. Jemi kundër zhvillimit të verbër, pa transparencë, pa shkencë dhe pa garanci reale.
Perspektiva Financiare: çfarë përfitimi ekonomik do të ketë Shqipëria nga ky investim?
Projekti i Sazanit prezantohet si një investim prej rreth 1.4 miliardë euro, megjithatë madhësia e investimit nuk është e barabartë me përfitimin publik.
Shqipëria kontribuon me asete publike, me ndryshimin e ligjit brenda natës, me statusin e ivestitorit strategjik (përshpejtohen procedurat, ka plot lehtësira).
Shqipëria jep mbështetje infrastrukturore – rrugë, ujë, energji, aeroport të planifikuar; kontribuon me përjashtime tatimore – vite të tëra të ardhurash që nuk do të hyjnë kurrë në buxhetin shqiptar.
Kur një shtet jep kaq shumë, pyetja legjitime ekonomike është: Po shteti shqiptar çfarë merr në këmbim dhe kur?
Çdo marrëveshje e kësaj përmase, në çdo vend me institucione të shëndetshme, shoqërohet me një business case (model ekonomik): projeksione të ardhurash, afate, kushte, skenarë rreziku.
Ky model nuk është publikuar, nuk është vlerësuar nga ekspertë të pavarur.
Dhe kur transparenca mungon në tejskaj, nuk është faj të protestosh. Është detyrim qytetar
GDP rritet – por për kë?
Thuhet se: “Investime të tilla rrisin punësimin.”
Por modeli Kushner është koncesion, jo një investim klasik.
Toka publike shqiptare i dhurohet një entiteti privat amerikan për dekada. Fitimi kryesor del jashtë vendit.
Punësimi vendas? Specialistët dhe menaxherët e lartë janë të huaj, do të ketë kamerierë ose staf sanitar – por ne vetë po rekrutojmë filipinezë e indianë. Ne nuk po përballojmë dot kërkesën për vetë strukturat tona.
Taksat? Investitorët strategjikë marrin përjashtime 10-15 vjeçare.
Ky quhet turizëm ekstraktiv!
Mos harroni: GDP nuk është njësoj me GNI
GDP mat gjithçka që prodhohet në Shqipëri.
GNI (Të Ardhurat Kombëtare Bruto), mat çfarë mbetet realisht për shqiptarët, pasi fitimet e kompanive të huaja largohen jashtë.
Pra, nëse resorti fiton 100m euro në vit dhe 80m shkojnë te pronarët jashtë Shqipërisë, ne shohim rritje të GDP-së. Por, ekonomia jonë ka fituar vetëm 20m euro.
Turizmi elitar rrit çmimet e pronave, rrit qiratë, rrit çmimet në market artificialisht.
Në fund të ditës, ai ishull do të jetë ekskluziv! Edhe unë vetë nuk e di nëse do të kem forcë ekonomike ta përballoj apo akses për të hyrë.
E për çfarë i vlen vetë Shqiptarëve një vend elitar mbi kurrizin e një ekosistemi që nuk kthehet kurrë? A nuk kemi mjaftueshëm beton?
Vlera në kohë e parasë dhe kosto oportune
Në financë, 1 euro sot vlen më shumë se 1 euro pas 20 vitesh.
Nëse Shqipëria jep sot një aset unik natyror dhe strategjik, na takon të dimë: a është vendimi i duhur për vlerën me të cilën po shitet sot?
Sepse në ekonomi, ekziston ajo që quhet kosto oportune (opportunity cost).
Po sikur vlera më e madhe e Nartës të mos jetë resorti?
Në Evropë, shumë zona të mbrojtura gjenerojnë të ardhura përmes:
ekoturizmit
birdwatching
tarifave të vizitorëve
Ekoturizmi global rritet me 14% në vit – dy herë më shpejt se turizmi masiv.
Në ekonomi nuk mjafton të dimë çfarë fitojmë, duhet të edhe nga çfarë po heqim dorë…
Aspekti gjeopolitik
Nuk do të ndalem në detaje sepse nuk jam eksperte e fushës, por një gjë është e qartë: Sazani dhe hyrja e Kanalit të Otrantos, nuk ishte një kapriço e dikujt që po shëtiste rastësisht me varkë 🙂
Pika është strategjike për Shqipërinë dhe rajonin.
Vendime të kësaj përmase nuk mund të trajtohen vetëm si projekte turistike.
Ekspertët thonë se zona ka municione të pashpërthyera, si qenka e sigurtë të bësh resort në atë zonë? A janë publikuar studimet e sigurisë?
Kur bëhet fjalë për territor, sovranitet dhe pasuri strategjike, të jesh i kujdesshëm është përgjegjësi!
Reflektim
Ky shkrim është shkruar nga një qytetare që ka studiuar si brenda ashtu edhe jashtë vendit, dhe që ka zgjedhur të jetojë, të punojë e të rrisë fëmijët e saj këtu.
Ky shkrim nuk është AI, as agjenturë, as politikë. Pas këtij shkrimi nuk është një influencer që pozon, e as “budallenj që vishen si pelikanë”.
Pas kësaj faqeje, qëndron një familje patriote që ndër vite ka paguar taksa me pagë maksimale e vitet e fundit ka krijuar hapësira punësimi.
Ne e duam Shqipërinë më të zhvilluar. Por jo me çdo çmim.
Si profesioniste, pozicionohem KUNDËR këtij projekti! Koha kur investimet vendosen në tavolinë pa debat publik, pa transparencë dhe pa llogaridhënie, DUHET TË MARRË FUND!
As me PS, e as me PD – me revolucionin flamengo për një Shqipëri të denjë për të ardhmen e fëmijëve të mi…..
Marrë nga llogaria Ema’s Light në Instagram
Rekordet e Kupës së Botës, Messi dhe Mbappe “kërcënojnë” disa prej arritjeve historike