Aplikacion
Pas pesë ditësh ndërprerje, në Vlorë ka nisur rikthimi gradual i furnizimit me ujë të pijshëm, pas riparimit të defektit në tubacionin kryesor të ujësjellësit. Defekti u rregullua pas mesnate.
Mësohet se, furnizimi ka filluar tashmë në disa zona të qytetit, përfshirë edhe zonën e Lungomares. Punimet për riparimin e tubacionit përfunduan rreth orës 04:00 të mëngjesit, moment në të cilin nisi edhe mbushja e depove të ujit.
Furnizimi do të shtrihet gradualisht në të gjithë qytetin gjatë orëve në vijim. Aktualisht, uji po shpërndahet me kapacitet të kufizuar, pasi po kryhen testime të pajisjeve të reja të instaluara në sistem, me qëllim garantimin e funksionimit të plotë dhe të sigurt të rrjetit.