Aplikacion
Qyteti i Vlorës vijon të përballet me një situatë të rëndë për furnizimin me ujë të pijshëm, ndërsa sot shënohet dita e pestë radhazi pa shërbim normal për mijëra banorë.
Mungesa e ujit ka krijuar vështirësi serioze për kryerjen e nevojave bazë, veçanërisht në prag të festave të fundvitit.
Pakënaqësia e qytetarëve ka kulmuar një ditë më parë, kur dhjetëra banorë u mblodhën në ambientet e Teatrit “Petro Marko”, ku Bashkia e Vlorës po zhvillonte një aktivitet festiv për punonjësit e saj. Protestuesit ndërprenë aktivitetin, duke kërkuar me ngulm rikthimin e furnizimit me ujë.
Thirrjet “Duam ujë” u dëgjuan brenda dhe jashtë teatrit, ndërsa situata u tensionua për shkak të pranisë së forcave të policisë, të cilat po ruanin ambientet e aktivitetit. Megjithatë, qytetarët kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen derisa problemi të marrë zgjidhje.
Banorët kanë paralajmëruar një tjetër protestë për ditën e sotme, në orën 10:00, përpara godinës së Bashkisë së Vlorës, duke theksuar se mungesa e ujit është kthyer në një problem të papranueshëm dhe të përsëritur.
Nga ana tjetër, drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve Vlorë, Ermal Murati, ka bërë të ditur se defekti që ka shkaktuar ndërprerjen e furnizimit ende nuk është riparuar. Ai ka shtuar se po punohet për gjetjen e një zgjidhjeje alternative, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të shërbimit për qytetarët./ Zoom.al
Tensione në tubimin para Kuvendit. Protestuesit heqin gardhin metalik, hedhin vezë e domate