Aplikacion
Qyteti i Vlorës është përfshirë nga kaosi pas mungesës së furnizimit me ujë të pijshëm në katër ditët e fundit.
Kjo për shkak të një defekti me ujësjellësin, të cilin autoritetet duket se po hasin vështirësi për ta zgjidhur.
Mungesa u ujit të pijshëm ka ngritur në protestë banorët e qytetit të cilët kanë ndërmarrë një sërë veprimesh për të shprehur revoltën e tyre.
Protesta nisi prej ditës së djeshme, kurse sot ka vazhduar me bllokim rruge, hedhje parullash, akuza për abuzime financiare dhe kërkesa për dorëheqje të zyrtarëve të lartë, deri tek ministrja e linjës, Belinda Balluku.
Në tension e sipër ata kanë shkatërruar një nga tabelat ku jepeshin detaje në lidhje me Ujësjellësin.
“Ja ku ikën lekët tona. Turp, të japin dorëheqjen. Vijmë nga puna nuk lahemi dot”, thanë disa prej tyre, teksa u panë duke goditur tabelat dhe shprehur zemërimin qytetar.

Protestës i është bashkuar Drejtori i Përgjithshëm i Ujësjellës Kanalizimeve, Flauers Shoshi, i cili është përpjekur të sqarojë qytetarët për defektin e ujësjellësit.
Shoshi ka deklaruar se është tentuar disa herë të ndërhyet për të rregulluar defektin, por nuk kanë mundur tja dalin. Ai bëri me dije se paisjet janë duke ardhur dhe se sonte në mesnatë nis furnizimi me ujë.
“E di shqetësimin tuaj, ju kuptoj. Kemi tentuar tre herë ta rregullojmë defektin por nuk kemi mundur ta rregullojmë. Pajisjet janë duke ardhur. Sonte në mesnatë nis furnizimi me ujë. Kjo është fjala jonë”, tha ai.
“As unë nuk jam larë dot”- shtoi Shoshi duke u solidarizuar me protestuesit.
Nga ana tjetër, kryetarja e Bashkisë, Brunilda Mersini e ka kthyer situatën në politike, duke thënë se organizatorët e protestave janë anëtarët demokratë të Këshillit Bashkiak.
“Protesta organizohet nga opozita dhe nga anëtarët e Këshillit Bashkiak të opozitës. Nuk është momenti që të bëjnë opozitë me një fatkeqësi natyrore. Kjo është një analizë që i takon ndërmarrjes së ujësjellësit. Lajmi i mirë është që pjesa është gjendur dhe është duke mbërritur në aeroportin e Rinasit”, tha Brunilda Mersini në një deklaratë për mediat.
Zoom.al/