Aplikacion
Furnizimi me ujë të pijshëm ka rinisur në një pjesë të qytetit të Vlorës, pas ndërhyrjeve teknike të kryera nga Ujësjellësi i Vlorës për rikthimin e normalitetit në rrjet. Autoritetet u kanë bërë apel qytetarëve që gjatë 48 orëve të para uji të mos përdoret për konsum, por vetëm për nevoja higjieno-sanitare, deri në stabilizimin e plotë të cilësisë së tij.
Sipas Ujësjellësit, situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa janë marrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë dhe standardeve të furnizimit me ujë për qytetarët.
Paralelisht me zgjidhjen e problematikës aktuale, Ujësjellësi i Vlorës ka nisur projektimin e një zgjidhjeje afatgjatë dhe përfundimtare për furnizimin me ujë në qytet dhe zonat përreth. Projekti parashikon ndërlidhjen e ujësjellësit të qytetit të Vlorës me ujësjellësat ekzistues të Orikumit, Tragjasit, Kaninës dhe Nartës, duke krijuar një rrjet të integruar dhe të sigurt furnizimi. Ky rrjet i ri do të mundësojë shpërndarje të qëndrueshme të ujit 24 orë në ditë, si për qytetin e Vlorës ashtu edhe për të gjitha fshatrat e zonës, duke reduktuar ndjeshëm riskun e ndërprerjeve dhe duke rritur sigurinë hidrike për banorët.
Sipas drejtuesve të Ujësjellësit, ky investim strategjik synon jo vetëm zgjidhjen e problemeve të përsëritura me furnizimin, por edhe krijimin e një sistemi modern, fleksibël dhe të qëndrueshëm, i cili do t’i shërbejë zhvillimit afatgjatë të qytetit dhe përballimit të fluksit sezonal të popullsisë.
Tensione në tubimin para Kuvendit. Protestuesit heqin gardhin metalik, hedhin vezë e domate