Aplikacion
Projekti i Ujësjellësit të Tragjasit, i iniciuar nga Bashkia Himarë dhe paraqitur pranë Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve u trajtua në emisionin investigativ “STOP”.
Projekti synon furnizimin me ujë të pijshëm të zonës turistike të Dhërmiut, ku parashikohet që në 25 vitet e ardhshme popullsia të arrijë deri në 60 mijë banorë.
Sipas inxhinierit hidroteknik Kujtim Muço, projekti është ndërtuar mbi nevoja afatgjata zhvillimi, ndërsa hidrogjeologu Arianit Gelaj shpjegoi se burimi i Tragjasit ka kapacitete të mjaftueshme për të përballuar kërkesën. Projekti parashikon përdorimin e 290 litrave ujë në sekondë, ndërkohë që prurjet minimale të regjistruara nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar janë rreth 497 litra/sekondë, duke shkuar deri në 700 litra/sekondë në kushte normale.
Investimi është mbështetur publikisht edhe nga Kryeministri Edi Rama, i cili ka deklaruar se projekti nuk do të shërbejë vetëm për zonën turistike, por do të përmirësojë furnizimin me ujë edhe për Tragjasin dhe Radhimën. Sipas autoriteteve, ndërhyrja nuk cenon burimin natyror dhe konsiderohet thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës, ndonëse banorët shprehen se në pjesën më të madhe të rasteve e kanë zgjidhur furnizimin me puse private./ Zoom.al