Aplikacion
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Vlorë, ku qytetarët prej pesë ditësh janë pa ujë të pijshëm, duke shkaktuar edhe protesta.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Rama ia ka atribuar problemin investimeve të kryera në të shkuarën, duke fajësuar opozitën për instalimin e pjesëve hidraulike jashtë standardeve.
Sipas kryeministrit, defekti i rëndë në ujësjellës ka ardhur si pasojë e materialeve të vendosura në vitet 2009–2010, të cilat nuk kanë përballuar presionin e ujit, duke çuar në shpërthimin e tubacionit. Rama bëri të ditur se pjesët e reja hidraulike janë nisur nga Stambolli dhe pritet të mbërrijnë brenda ditës për të kryer riparimin.
Në reagimin e tij, kreu i qeverisë shprehu vlerësim për punën e punëtorëve të ujësjellësit të Vlorës, duke theksuar angazhimin e tyre të vazhdueshëm nën drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe të drejtorit të përgjithshëm, Flauers Shoshi, i cili, sipas Ramës, ndodhet prej ditësh në krye të operacionit për zgjidhjen e situatës.
Rama i kërkoi ndjesë qytetarëve vlonjatë për peripecinë e pamerituar, duke shtuar se pas viteve të mira për qytetin, ky problem është pasojë e një “mine të vjetër” që, sipas tij, i ka rrënjët në të shkuarën.
Postimi i plotë:
???? Drejt aeroportit të Stambollit për të ardhur sot brenda ditës, pjesët e reja hidraulike për riparimin e difektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës, ku në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standarteve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer…
Respekt për punën e palodhur të punëtorëve të ujësjellësit Vlorë, që nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, inxhinierit të njohur Flauers Shoshi, i cili prej disa ditësh e netësh gjendet në krye të operacionit të vështirë, po bëjnë të pamundurën për ta mbyllur këtë plagë të hapur në trupin e Vlorës prej një mine të vjetër nga një kohë e zezë për Vlorën??
Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën, e ja që kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do i marrë????
/Zoom.al