zoom

Aktualitet

Nëna e Santiago Malkos kërcënon me jetë Leonard Dukën: “Ma fute djalin në dhe, s’ta fal gjakun”! Përjashtohet nga seanca

Nëna e Santiago Malkos kërcënon me jetë Leonard Dukën: “Ma fute djalin në dhe, s’ta fal gjakun”! Përjashtohet nga seanca

Tensione të forta u shënuan në seancën gjyqësore ndaj Leonard Dukës, i dyshuar për ekzekutimin e Santiago Malkos, 26-vjeçari i vrarë në gusht të vitit 2019.

Nëna e viktimës u përplas ashpër me të pandehurin, duke e akuzuar drejtpërdrejt për vrasjen e djalit të saj dhe e kërcënoi se do ta vriste.

“Ma fute djalin në dhe! S’ta fal gjakun e djalit kurrë, do të vras,” u shpreh ajo me zë të lartë, duke shkaktuar ndërprerjen e seancës. Për shkak të tensioneve, trupi gjykues vendosi ta largojë nga salla, duke theksuar se “është sallë gjyqi, nuk mund të veprohet sipas dëshirës personale”.

Ndërkohë, gjatë seancës në GJKKO, SPAK prezantoi prova të reja të siguruara nga komunikimet e zbardhura përmes aplikacionit të koduar SKY ECC, që sipas hetuesve dokumentojnë lidhje mes Leonard Dukës dhe të shumëkërkuarit Ervis Martinaj.

Në deklarimet para gjykatës, Leonard Duka mohoi përdorimin e aplikacionit dhe kontaktet me përdorues të tij. Ai gjithashtu kundërshtoi autenticitetin e një fotografie që i atribuohet në këto komunikime.

“Jo, nuk kam pasur Sky ECC, nuk kam asnjë lidhje. Nuk jam unë në foto. Me Ervis Martinajn e kam takuar, por s’kam pasur komunikime të tjera,” tha ai para gjykatës.

Procesi gjyqësor ndaj Leonard Dukës vijon në GJKKO, ndërsa SPAK pritet të sjellë prova të tjera në vijim.

Postime të lidhura