Aplikacion
Gjatë seancës së Gjykatën e Posaçme, Leonard Duka nuk ka pranuar që të japë asnjë shpjegim.
Masa ndaj tij u caktua tre ditë pasi ai u ekstradua nga Belgjika nën masa të rrepta sigurie.
Ai mbërriti rreth orës 14:30 minuta të datës 2 Gusht në aeroportin e Rinasit i shoqëruar nga forcat RENEA.
Leonard Duka është rivali i Ervis Martinajt. Në njoftimin zyrtar, policia e akuzon atë mes të tjerash për vrasjen e Santiago Malkos, që ishte krahu i djathtë i Martinajt. Duka akuzohet edhe për disa vrasje të tjera.
“Shtetasi L. D. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Sigurimi i kushteve për vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi L. D. dhe 6 shtetas të tjerë janë autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur në vitin 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri, shtetasi S. M.
Gjithashtu, shtetasi L. D., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka planifikuar vrasjen e shtetasve Er. Ma., Er. Mi. dhe të anëtarëve të tjerë të grupit të tyre”, thuhet në njoftimin e policisë.
10 milionë euro për kokën e Vis Martinajt
Leonard Duka, i njohur ndryshe si “Princi Damian”, njihet sot si armiku i përbetuar i Ervis Martinajt.
I ekstraduar pasditen e kësaj të premteje nga Belgjika në Shqipëri, Leonard Duka ka tentuar disa herë të vrasë ish-mikun e tij, Vis Martinaj.
Planet e tij për ekzekutimin e Martinajt u zbardhën gjatë megaoperacionit “Metamorfoza 2”.
Përplasjet mes Martinajt dhe Dukës nisën për biznesin e lojërave të fatit nga ku qarkullonin shuma të mëdha parash.
Ata ishin ortakë me njëri-tjetrin, por më pas u kthyen në dy armiq me përplasje të ashpra, deri në përpjekje për të eliminuar njëri- tjetrin.
Kreu i klanit “Duka”, Leonard Duka pasi dështoi të eliminonte Ervis Martinajn, i zhdukur prej gushtit 2022, filloi të hakmerrej duke vrarë një nga një grupin e tij të ngushtë.
Duka akuzohet se është porositësi i vrasjes së Santiago Malkos, krahut të djathtë të Martinajt.
Dyshohet se Duka do të ofronte 2 milionë euro kush jepte informacion për Ervis Martinaj dhe 10 milionë euro kush e vriste.
Këto shuma të mëdha parash në lojë bënë që vrasësit e botës së krimit të afrohen me klanin “Duka”, duke marrë përsipër vrasjen e Ervis Martinajt.
E përfshirë në botën e krimit është edhe modelja Trejsi Sejdini, e komentuar për lidhje dashurie me Leonard Dukën.
Në dosjen hetimore të “Metamorfoza 2” të zbardhur pak muaj më parë doli në pah se
Duka i dërgoi 500 dollarë Trejsi Sejdinit në New York, përmes një prej ushtarëve të tij, Drianto Bardhit.
Paratë, sipas dosjes janë dërguar në emër të Drianto Bardhit dhe i ka pritur miku i modeles, fotografi Klevin Halili.
Në dosje u zbardh gjithashtu dhe një udhëtim që Trejsi Sejdini ka bërë me Leonard Dukën me të cilin ka kaluar në pikën e kalimit kufitar Morinë, më 10 shkurt të vitit 2019.