Aplikacion
Leonard Duka, i njohur ndryshe si “Princi Damian”, njihet sot si armiku i përbetuar i Ervis Martinajt.
I ekstraduar pasditen e kësaj të premteje nga Belgjika në Shqipëri, Leonard Duka ka tentuar disa herë të vrasë ish-mikun e tij, Vis Martinaj.
Planet e tij për ekzekutimin e Martinajt u zbardhën gjatë megaoperacionit “Metamorfoza 2”.
Përplasjet mes Martinajt dhe Dukës nisën për biznesin e lojërave të fatit nga ku qarkullonin shuma të mëdha parash.
Ata ishin ortakë me njëri-tjetrin, por më pas u kthyen në dy armiq me përplasje të ashpra, deri në përpjekje për të eliminuar njëri- tjetrin.
Kreu i klanit “Duka”, Leonard Duka pasi dështoi të eliminonte Ervis Martinajn, i zhdukur prej gushtit 2022, filloi të hakmerrej duke vrarë një nga një grupin e tij të ngushtë.
Duka akuzohet se është porositësi i vrasjes së Santiago Malkos, krahut të djathtë të Martinajt.
Dyshohet se Duka do të ofronte 2 milionë euro kush jepte informacion për Ervis Martinaj dhe 10 milionë euro kush e vriste.
Këto shuma të mëdha parash në lojë bënë që vrasësit e botës së krimit të afrohen me klanin “Duka”, duke marrë përsipër vrasjen e Ervis Martinajt.
E përfshirë në botën e krimit është edhe modelja Trejsi Sejdini, e komentuar për lidhje dashurie me Leonard Dukën.
Në dosjen hetimore të “Metamorfoza 2” të zbardhur pak muaj më parë doli në pah se
Duka i dërgoi 500 dollarë Trejsi Sejdinit në New York, përmes një prej ushtarëve të tij, Drianto Bardhit.
Paratë, sipas dosjes janë dërguar në emër të Drianto Bardhit dhe i ka pritur miku i modeles, fotografi Klevin Halili.
Në dosje u zbardh gjithashtu dhe një udhëtim që Trejsi Sejdini ka bërë me Leonard Dukën me të cilin ka kaluar në pikën e kalimit kufitar Morinë, më 10 shkurt të vitit 2019.