Aplikacion
Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi dënimin me 28 vite burg për Ilir Selmanin, i akuzuar si pjesë e grupit kriminal që organizoi dhe ekzekutoi vrasjen e ish-policit Santiago Malko.
Vendimi i Apelit vjen pas rikthimit të çështjes për rigjykim nga Gjykata e Lartë, e cila kishte kërkuar rishqyrtimin e saj në Shkallën e Dytë. Pas shqyrtimit të dosjes, Apeli i GJKKO ka vendosur të mos ndryshojë masën e dënimit të dhënë më herët ndaj Selmanit.
Gjatë seancës ku u shpall vendimi, Ilir Selmani nuk ishte i pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit.
Me vendimin e Apelit të GJKKO-së, që konsiderohet përfundimtar, Selmani pritet të transferohet nga masa e sigurisë “arrest shtëpie”, ku ndodhej aktualisht, drejt një institucioni të vuajtjes së dënimit të sigurisë së lartë.
Vrasja e ish-efektivit të Policisë së Tiranës, Santiago Malko, ndodhi në gusht të vitit 2019 në zonën e Kinostudios në Tiranë dhe çoi në një hetim të gjatë ndaj disa personave të dyshuar për përfshirje në ngjarje.