zoom

Aktualitet

Frikë për arratisje? I dyshuar për vrasjen e Santiago Malkos, RENEA dhe FNSH monitorojnë 24 orë Ilir Selmanin

Frikë për arratisje? I dyshuar për vrasjen e Santiago Malkos, RENEA dhe FNSH monitorojnë 24 orë Ilir Selmanin

Ilir Selmani, i akuzuar si një nga autorët e vrasjes së ish-policit Santiago Malko, po mbahet nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga forcat RENEA dhe FNSH pas lirimit të tij nga paraburgimi me vendim të Gjykatës së Apelit të Posaçëm.

Burime bëjnë me dije se një trupë shërbimi e repartit special RENEA dhe e Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë qëndron 24 orë pranë banesës së Selmanit, i cili prej rreth një jave ndodhet në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Masa shtesë e sigurisë është kërkuar nga SPAK, për shkak të shqetësimit se mund të ketë një tentativë për t’iu shmangur drejtësisë, ndërsa procesi ndaj tij vijon në Gjykatën e Apelit të Posaçëm.

Selmani u lirua më 19 qershor 2026, pasi Apeli i GJKKO-së konstatoi se kishte përfunduar afati ligjor i paraburgimit gjatë fazës së gjykimit, duke vendosur shuarjen e masës “Arrest në burg” dhe zëvendësimin e saj me “Arrest në shtëpi”.

Në shkallën e parë, ai është dënuar me 26 vite burg për akuzën e vrasjes në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Sipas dosjes hetimore, Selmani akuzohet si një nga personat e përfshirë në ekzekutimin e ish-efektivit të policisë Santiago Malko, ngjarje e ndodhur në Tiranë në gusht të vitit 2019.

Nëse Gjykata e Apelit lë në fuqi dënimin ndaj tij, Selmani do të rikthehet menjëherë në burg për të vuajtur dënimin.

Ndërkohë, ai përballet edhe me një procedim tjetër penal nga Prokuroria e Elbasanit. Selmani është marrë i pandehur për akuzën e futjes së sendeve të palejuara në burg, pasi gjatë një kontrolli të kryer nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në sistemin penitenciar iu gjet një aparat celular në qeli.

Postime të lidhura