Aplikacion
Për herë të parë, është publikuar imazhi i Elvis Doçit, i njohur ndryshe si “Visi i Pojës”, një nga personazhet më të përfolur të botës së krimit në Shqipëri, i cili është shpallur në kërkim nga autoritetet në kuadër të operacionit të gjerë antikriminal “Ura”.
Elvis Doçi, lindur në Durrës më 15 tetor 1978, është nipi i Xhevdet Troplinit, i njohur si “Poja”, një emër i njohur në rrethet kriminale për përfshirjen në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe armëve. Për më shumë se dy dekada, aktiviteti i Doçit ka qenë nën vëzhgimin e autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane, por identiteti i tij vizual ka mbetur i fshehur. Vetëm pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, autoritetet kanë mundur të sigurojnë gjurmë konkrete dhe më në fund, imazhin e tij.
Dumani e përshkruan Visin e Pojës si një figurë kyçe në botën e krimit të organizuar në Shqipëri, duke e konsideruar atë një negociator të aftë në fushën e trafikut të drogës. Poja, xhaxhai i tij, është përshkruar si udhëheqës i një prej grupeve më të dhunshme dhe më të organizuara kriminale që ka vepruar brenda dhe jashtë Shqipërisë, me lidhje të forta në Itali, Gjermani dhe Amerikën e Jugut.
Përgjimet e operacionit “Ura” kanë zbuluar bashkëpunimin e ngushtë mes Doçit dhe një tjetër personazh të botës së krimit, Adi Çoba. Sipas të dhënave, Visi i Pojës ka qenë një nga trafikantët më të rëndësishëm të drogës në vend.
Në të kaluarën, Elvis Doçi është dënuar në Itali: në Padova, më 2003, ai u dënua me 3 vite burg për trafikim të lëndëve narkotike. Ndërkohë, në Shqipëri, ai ka qenë subjekt i Operacionit Forca e Ligjit (OFL) dhe emri i tij është përmendur në disa ngjarje të rënda kriminale, ndonëse jo gjithmonë zyrtarisht.
Në planin ekonomik, Doçi rezulton të ketë interesa në disa biznese në Durrës dhe përreth: një kompani ndërtimi me emrin “Cara na” në Rrashbull, një bar-kafe në Durrës të quajtur “Port Side” në bashkëpronësi me Bukurije Doçin, një bar në Fushë Krujë dhe një tjetër në Sukth me emrin “Vintage”, në bashkëpronësi me Edmir Bakallin.
Që prej 17 majit 2024, Doçi është në kërkim nga SPAK dhe autoritetet kanë intensifikuar përpjekjet për kapjen e tij. Publikimi i imazhit të tij shihet si një hap i rëndësishëm në këtë drejtim, me shpresën se qytetarët mund të ndihmojnë në lokalizimin dhe arrestimin e tij.