Aplikacion
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot me 79 vota pro rezolutën e paraqitur nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, e cila shpall Iranin si shtet terrorist. Rezoluta u kalua pas fjalës së kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili gjatë prezantimit ftoi deputetët për votim.
Në seancë pati vetëm një abstenim, nga deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ndërsa deputeti i opozitës, Erald Kapri, ishte gjithashtu prezent. 58 deputetë të opozitës, kryesisht të Partisë Demokratike, nuk morën pjesë në seancë, duke e konsideruar këtë mbledhje si axhendë personale të kryeministrit Edi Rama dhe një fasadë parlamentare.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kritikoi mënyrën e thirrjes së seancës jashtë ditës normale të zhvillimit të saj, duke theksuar se rendi i ditës përfshinte vetëm miratimin e procesverbalit dhe njoftime, pa një rend dite të shpallur zyrtarisht, në shkelje të procedurave të Rregullores së Kuvendit.
Nga ana e tij, Taulant Balla shprehu keqardhje për mungesën e deputetëve të opozitës, duke vlerësuar se ata duhet të mbështesnin qëndrimin kundër Iranit dhe të qëndronin në krah të Shqipërisë dhe aleatëve si SHBA, Franca dhe Gjermania. Ai kritikoi bojkotin e opozitës si një veprim të motivuar nga interesa të vogla politike.
Dokumenti i plotë:
“PROJEKT R E Z O L U T Ë
Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste.
Kuvendi i Shqipërisë,
Duke qenë se Republika e Shqipërisë është fuqimisht e përkushtuar ndaj parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, të drejtës ndërkombëtare dhe mbrojtjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare;
Duke qenë se terrorizmi në të gjitha format dhe shfaqjet e tij përbën një nga kërcënimet më serioze ndaj paqes ndërkombëtare, sigurisë dhe shoqërive demokratike;
Duke qenë se raporte të besueshme dhe vlerësime ndërkombëtare kanë dokumentuar në mënyrë të përsëritur përfshirjen e autoriteteve të Republikës Islamike të Iranit në financimin, trajnimin, armatosjen dhe drejtimin e grupeve dhe organizatave të armatosura jo-shtetërore të shpallura si entitete terroriste në disa rajone;
Duke qenë se Republika Islamike e Iranit, përmes institucioneve të saj shtetërore, përfshirë Gardën Revolucionare Islamike (IRGC) dhe strukturat e lidhura me të, ka mbështetur dhe koordinuar aktivitete që destabilizojnë vende në Lindjen e Mesme dhe më gjerë;
Duke qenë se Republika e Shqipërisë ka qenë vetë objekt i veprimeve armiqësore në hapësirën kibernetike, përfshirë sulmin e rëndë kibernetik ndaj institucioneve shtetërore shqiptare në vitin 2022, i atribuar strukturave të lidhura me Republikën Islamike të Iranit, si dhe përpjekjet e ditëve të fundit për sulme kibernetike ndaj sistemeve të Kuvendit të Shqipërisë;
Duke qenë se aktet e dhunës dhe të agresionit, përfshirë sulmet kibernetike kundër institucioneve shtetërore, infrastrukturës kritike dhe shteteve sovrane përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe mund të përbëjnë forma të terrorizmit;
Duke qenë se përdorimi sistematik i frikësimit, i grupeve të armatosura proxy, si dhe i mjeteve hibride për të përhapur frikë dhe destabilizim është i papajtueshëm me normat e marrëdhënieve paqësore ndërkombëtare;
Duke qenë se Republika e Shqipërisë, si anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka në themel të politikës së saj të jashtme dhe të sigurisë parimet e solidaritetit demokratik, shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar;
Duke qenë se populli dhe institucionet shqiptare mbeten të përkushtuara në luftën kundër terrorizmit në të gjitha format e tij dhe në mbajtjen përgjegjës të atyre që sponsorizojnë ose kryejnë akte terrori;
Kuvendi i Shqipërisë:
– të forcojë masat kombëtare dhe ndërkombëtare për të luftuar terrorizmin e sponsorizuar nga shtetet dhe kërcënimet kibernetike;
– të bashkëpunojë ngushtë me vendet aleate dhe partnere në parandalimin dhe luftimin e financimit të terrorizmit dhe aktiviteteve të lidhura me strukturat shtetërore iraniane;
– të mbështesë nismat në organizatat ndërkombëtare që synojnë përgjegjshmërinë për aktet e terrorizmit, sulmet kibernetike dhe shkeljet e së drejtës ndërkombëtare.
– të shpallë menjëherë Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), si organizatë terroriste,
– të shpallë gjithashtu Hezbollah si një organizatë terroriste proxy të Republikës Islamike të Iranit, duke iu bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Hollandës dhe një numri shtetesh anëtare të BE-së si dhe vende të tjera, të cilat e kanë ndërmarrë më parë këtë përcaktim.
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit