zoom

Të gjitha

Java e 28-të e Superiores, një derbi klasik që mund të vlejë sa për një “Final Four”

Kjo javë e Superiores sjell një nga ndeshjet klasike më interesante të sezonit. Derbi i kryeqytetit, Tirana-Dinamo është sfida më e zjarrtë e javës së 28-të.

Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dy ekipet, për vetë pozitat ku ndodhen. Zona final-four dukej një formalitet për Tiranën, por në fushë rezultoi e kundërta, të paktën për momentin.

Në këtë fillim faze të katërt, bardheblutë e shohin veten në vendin e 6-të, në kuotën e 36 pikëve, po aq sa Dinamo dhe një pikë më pas se Skënderbeu i vendit të katërt. Nëse Tirana nuk dëshiron të ndërlikojë akoma më shumë këtë sezon, derbi përballë Dinamos është një sfidë që duhet fituar.

Shifrat i vijnë në ndihme Tiranës pasi në tre përballjet e para këtë sezon i kanë marrë 7 pikë Dinamos.

Problemi kryesor i bardhebluve ka qenë dhe mbetet mbrojtja, kanë pësuar 42 gola këtë sezon, një më pak se Kukësi. Në mungesë të Hoxhallarit, trajneri Fagu shpreson të këtë në dispozicion Filip Najdovskin, me maqedonasit që është rikthyer të stërvitet, por prezenca e tij mbetet në dyshim.

Me një ndeshje më pak se Tirana, për Dinamon kjo është sfida më e rëndësishme e këtij sezoni, një ndeshje që pritet të vendos jo pak mbi objektivin e tyre për të synuar një vend mes katër ekipeve më të mira. /ZOOM.AL/