zoom

In Zoom

Hipokrizia e Edi Ramës me Erion Veliajn. Përse nuk e shkarkon dhe si e akuzonte Sali Berishën se nuk e sharkonte Arben Sefgjinin që ishte në “arrest shtëpie”?

Hipokrizia e Edi Ramës me Erion Veliajn. Përse nuk e shkarkon dhe si e akuzonte Sali Berishën se nuk e sharkonte Arben Sefgjinin që ishte në “arrest shtëpie”?

Duke mos e shkarkuar Erion Veliajn “de jure” si kryetar i Bashkisë së Tiranës, a po përpiqet Edi Rama “të ndikojë politikisht mbi procesin gjyqësor, duke u bërë publikisht mburojë e një të arrestuari”, siç akuzonte ai me të njëjtat fjalë Sali Berishën në 2008?

Nga redaksia e Zoom.al

Më 7 maj 2008, Edi Rama, atëherë  kryetar i Partisë Socialiste në opozitë dhe kryebashkiak i Tiranës, i bënte thirrje publikisht kryeministrit të kohës, Sali Berisha, që të shkarkonte nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjinin.

Arben Sefgjini dhe tre -ish punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK) akuzoheshin nga Prokuroria e Krimeve të Rënda sit ë implikuar në rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit nga Kosova, Remzii Hoxha. Gjykata e Krimeve të Rënda kishte dhënë për ata masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Në këtë mënyrë, Sefgjini e drejtonte Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve nga shtëpia, pasi nuk lejohej të dilte prej saj dhe të shkonte në zyrë.

Edi Rama e akuzonte në atë kohë Sali Berishën se po pengonte drejtësinë duke u bërë mburojë për Sefgjinin.

7 maj 2008, Edi Rama: “Kapja e kryetarit të qeverisë pas historisë së errët të mos dënimit në të shkuarën të këtij personazhi për të mos e shkarkuar atë sot edhe pasi gjykata ka dhënë masën e arrestit shtëpiak, a thua se zotërinë e inkriminuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka emëruar gjykata Drejtor të Tatimeve dhe mund ta shkarkojë vetëm ajo, është në rastin më të mirë pa përgjegjshmëri e plotë dhe në rastin më të keq abuzim i vetëdijshëm i Sali Berishës në mandatin kryeministror, për të ndikuar politikisht mbi procesin gjyqësor, duke u bërë publikisht mburojë e një të arrestuari.”

Kështu deklaronte Edi Rama në opozitë.

Por 17 vite më vonë, tani kur është vetë kryeministër i Shqipërisë, Rama ka zgjedhur një qasje krejt të ndryshme ndaj një rasti analog. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në paraburgim për akuza të rënda për korrupsion pasiv e aktiv, për fshehje të pasurisë dhe për pastrim parash. Edi Rama jo vetëm që ka deklaruar se nuk do ta shkarkojë, por madje përpiqet të relativizojë situatën dhe të mbrojë Veliajn, duke pretenduar se duhet pritur vendimi përfundimtar i drejtësisë.

“Ta hetojmë Erion Veliajn deri në fund; nëse ka bërë korrupsion, të shkojë aty ku duhet, por korrupsion të provuar” – deklaronte Rama më 13 shkurt 2025.

Kështu Erion Veliaj lejohet ta drejtojë Bashkinë e Tiranës nga burgu, ndonëse sa për sy e faqe, sepse vendimet e tij po hidhen në kosh nga Rama dhe të besuarit e kryeministrit në Bashki, siç ishte rasti i vendimit të Veliajt për të shkarkuar nga kryetare të komanduar Anuela Ristanin dhe për të emëruar Sara Goxhajn. Rama jo vetëm nuk e pranoi këtë vendim, por Sara Goxhaj u shkarkuar edhe si nënkryetare dhe sot nuk lejohet të futet në bashki.

Duke mos e shkarkuar Erion Veliajn “de jure” si kryetar i Bashkisë së Tiranës, a po përpiqet Edi Rama “të ndikojë politikisht mbi procesin gjyqësor, duke u bërë publikisht mburojë e një të arrestuari”, siç akuzonte ai me të njëjtat fjalë Sali Berishën në 2008?

Ky qëndrim i Edi Ramës përballë rastit të Veliajt tregon hipokrizinë e kryeministrit, sesa pak i vërtetë është ai kur akuzon të tjerët për të njëjtat standarde që i aplikon edhe vetë dhe se si përdor pa të keq standarde të dyfishta lidhur me drejtësinë.

Kur ishte në opozitë, ai e quante të papranueshme që Berisha të priste vendimin e gjykatës për një zyrtar të dorës së dytë si Arben Sefgjini dhe e akuzonte për mbrojtje politike të Sefgjinit, ndërsa sot ai vetë përdor të njëjtën argument që dikur e denonconte për të mbrojtur një zyrtar të niveleve më të larta shtetërore.

Ajo që bie në sy nuk është thjesht mospërputhja mes qëndrimeve të tij dikur si opozitar dhe tani si kryeministër, por fakti që ky standard i dyfishtë vihet në funksion të mbrojtjes së bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë.

Dhe ky nuk është një rast i izoluar, por një tregues në vazhdimësi i modelit që ka ndjekur Rama në pushtet, me qëndrime që nuk varen nga ajo çfarë është e drejtë dhe nga parimet e barazisë përpara ligjit, por nga interesa personale e politike./ Zoom.al

Postime të lidhura