Aplikacion
Erion Veliaj është e shkuara dhe Edi Rama duket gjithnjë e më i qartë me këtë qëndrim.
Ai nuk po e përmend më kryebashkiakun e Tiranës, nuk po e sulmon më SPAK -un siç bëri ditët e para të arrestimit të Veliajt, nuk po i pranon asnjë vendim Veliajt edhe pse e mban në detyrë si kryebashkiak dhe nuk e shkarkon dhe po bën në Bashkinë e Tiranës atë që i thotë mendja e tij.
Erion Veliaj thjesht është një i paraburgosur që duhet të përballet me drejtësinë, i vetëm. Kryeministri e la të kuptohet këtë edhe sot përpara socialistëve të Sarandës.
“Të ndjekim atë porosinë e Ten Siopinit (Deng Xiaoping) që, ndryshoi Kinën kur tha: mua s’më intereson fare çfarë ngjyre ka macja, mua më intereson që macja të kapë minjtë. Dhe minjtë në këtë vend i kapim vetëm ne. Madje jemi aq të zotët sa të kapim edhe minjtë tanë, jo vetëm minjtë e komshiut” – deklaroi ai.
Ky citat, që dëshmon pragmatizëm të mirëfilltë, u përdor nga Rama si një metaforë për problemet e brendshme të mazhorancës socialsite. Ai nuk u tha pa qëllim, por teksa lufta për kontrollin e Bashkisë së Tiranës është në kulmin e saj pas tentativës së dështuar të Veliajt për një “kryengritje” me shkarkimin e Anuela Ristanit.
Edi Rama është i njohur për përdorimin e metaforave për bashkëpunëtorët e tij që kapen nga drejtësia. Dikur e quajti Saimir Tahirin “dru i shtrembër” dhe nuk është çudi që me “minj” të nënkuptojë sot Erion Veliajn. Një shprehje që do të ishte shumë më e kupueshme kur dihet se termi “mi bashkie” përdoret për tifozët e Tiranës ku bashkia është aksionere nga kundshtarët e Partizanit, ku vëllai i kryeministrit është drejtor sportiv.
Në fund të ditës, kjo shprehje e Edi Ramës është një pasqyrë e mënyrës se si ai menaxhon tensionet dhe sfidat brenda radhëve të tij politike dhe si i trajton ai bashkëpunëtorët që kapen me presh në duar nga drejtësia./ Zoom.al