Aplikacion
Pas rastit të helmimit të 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë në Tiranë, janë zbardhur detaje mbi produktet ushqimore të marra për analiza nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe mënyrën se si po zhvillohet hetimi për shkakun e ngjarjes.
Inspektorët e AKU-së kanë sekuestruar dhe dërguar në laborator një sërë mostrash ushqimore nga ambientet ku përgatitet dhe shpërndahet ushqimi për studentët, i cili realizohet përmes shërbimit katering.
Në kuzhinën që furnizon Akademinë, janë gjetur ushqime të gatuara si pilaf, makarona, fasule dhe sallam, si dhe produkte të hapura si kos, nga të cilat janë marrë mostra për analiza mikrobiologjike në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.
Më tej, kontrollet janë shtrirë edhe në ambientet e Garnizonit “Skënderbej”, ku janë sekuestruar produkte të papërpunuara si vezë, djathë, kos dhe sallam, të cilat sipas planit të analizave do të testohen për baktere të rrezikshme si E.Coli, Salmonella, Enterobacter dhe Listeria.
Megjithatë, ekspertë të fushës së sigurisë ushqimore ngrenë shqetësimin se rezultatet e këtyre analizave mund të mos japin një përgjigje të saktë për shkakun real të helmimit. Kjo lidhet me faktin se mostrat e marra nuk përkojnë domosdoshmërisht me ushqimin e konsumuar në drekën e studentëve, që dyshohet të jetë momenti kur ka ndodhur kontaminimi.
Sipas raportimeve, në momentin e kontrollit nuk janë gjetur mbetje të menusë së drekës, ndërsa mostrat e marra lidhen kryesisht me ushqimin e darkës ose produkte të papërpunuara. Kjo krijon pasiguri nëse rezultatet laboratorike do të reflektojnë shkakun e vërtetë të incidentit.
Ndërkohë, kompania e kateringut e kontraktuar për furnizimin me ushqim të Akademisë së Sigurisë vijon të jetë nën hetim, ndërsa autoritetet po analizojnë të gjithë zinxhirin e prodhimit dhe shpërndarjes së ushqimit./ Zoom.al