zoom

Aktualitet

Kompania “Sori-Al” e Nikolin Jakës helmoi 56 studentë të Akademisë së Policisë, në kërkim administratorja

Kompania “Sori-Al” e Nikolin Jakës helmoi 56 studentë të Akademisë së Policisë, në kërkim administratorja

Kompania “Sori AL”, në pronësi të Nikolin Jakës, është vënë në qendër të hetimeve pas helmimit të 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, të cilët dyshohet se u intoxikuan nga ushqimi i konsumuar në ambientet e institucionit ku trajnohen kandidatët për efektivë policie.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, studentët u paraqitën me simptoma të forta dhe u dërguan për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së. Pas trajtimit mjekësor, të gjithë janë larguar nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore.

Në vijim të hetimeve të kryera nga Komisariati i Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, janë arrestuar në flagrancë Kujtim Ballgjini, 52 vjeç, me detyrë kuzhinier, dhe Kristjana Plaka, 23 vjeçe, teknologe ushqimi në kompaninë “Sori AL”, e kontraktuar për furnizimin me ushqim të Akademisë së Sigurisë.

Ndërkohë, është proceduar në gjendje të lirë shtetasja R. Ç., 35 vjeçe, po me detyrë teknologe ushqimi, ndërsa administratorja e kompanisë, Alama Tafani, 52 vjeçe, është shpallur në kërkim.

Policia bën me dije se vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e përgjegjësive penale për veprën “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.

Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se janë kryer kontrolle dhe verifikime në subjektin “SORI-AL”, i cili ushtron aktivitetin e kateringut për Akademinë e Sigurisë.

Sipas AKU-së, ushqimi përgatitej në ambientet e garnizonit “Skënderbej”, pranë Akademisë së Forcave të Armatosura në Tiranë, dhe më pas transportohej i gatshëm drejt Akademisë së Sigurisë.

Gjatë kontrollit në ambientet e kuzhinës brenda Akademisë së Sigurisë, inspektorët konstatuan se aty nuk kryhej proces gatimi, por vetëm shpërndarja e ushqimit të sjellë nga kompania. Në momentin e inspektimit u gjetën produkte si pilaf, makarona, fasule, sallam dhe kos të hapur gati për konsum, nga të cilat u bllokuan 85.9 kilogramë ushqime dhe u morën mostra për analiza mikrobiologjike në laboratorin e ISUV.

AKU bëri me dije se subjektit iu vendos një masë administrative me gjobë në vlerën 100 mijë lekë për mungesë të një sistemi funksional dhe të plotë të gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore.

Kontrollet vijuan edhe në ambientet e “SORI-AL” në garnizonin “Skënderbej”, ku nuk u konstatuan produkte të gatshme për konsum, pasi sipas subjektit ushqimet shpërndaheshin menjëherë tek institucionet kontraktuese.

Megjithatë, inspektorët morën mostra të tjera për analizim mikrobiologjik, përfshirë djathë të bardhë lope, kos, vezë dhe sallam. Gjithashtu u bllokuan 67.3 kilogramë produkte ushqimore dhe 1350 kokrra vezë, ndërsa ndaj subjektit u vendos një tjetër gjobë prej 100 mijë lekësh, po për mungesë të sistemit të plotë të gjurmueshmërisë.

Postime të lidhura