zoom

Aktualitet

Reagon administratori i Akademisë pas helmimit të studentëve: Ushqimi vjen i gatshëm

Reagon administratori i Akademisë pas helmimit të studentëve: Ushqimi vjen i gatshëm

Pas rastit që përfshiu dhjetëra studentë të Akademisë së Policisë, ka reaguar administratori i institucionit, Milton Nushi, i cili dha detaje mbi situatën dhe masat e marra menjëherë pas rastit.

Sipas tij, shqetësimet shëndetësore tek studentët nisën pak kohë pasi kishin konsumuar vaktin e drekës. Fillimisht, studentët morën ndihmë në infermierinë e Akademisë dhe më pas u transportuan drejt QSUT-së për kontrolle më të specializuara. Nushi bëri të ditur se të gjithë janë rikthyer në Akademi në gjendje të stabilizuar dhe pa probleme serioze shëndetësore.

Administratori sqaroi se ushqimi në Akademi furnizohet përmes një kompanie kateringu dhe përgatitet jashtë ambienteve të institucionit, në një qendër të licencuar. Ai theksoi se çdo vakt kontrollohet nga një komision i posaçëm në prani të mjekut dhe se mostrat e ushqimit ruhen për 24 orë për raste emergjente apo hetimesh.

Në lidhje me ngjarjen, janë njoftuar menjëherë autoritetet e AKU-së dhe Institutit të Shëndetit Publik, të cilët kanë marrë mostra ushqimore dhe analiza nga studentët për të përcaktuar shkakun e helmimit të dyshuar. Sipas Nushit, kjo është hera e parë pas shumë vitesh që regjistrohet një incident i tillë në Akademinë e Sigurisë.

Ai shtoi se, pavarësisht rastit, aktiviteti në Akademi vijon normalisht dhe studentët po furnizohen rregullisht me tre vakte ushqimore në ditë.

“Kanë pasur shqetësime studentët, pas konsumimit të vaktit të drekës. Janë çuar në infermierinë që kemi këtu dhe më pas në QSUT dhe janë kthyer të gjithë shëndoshë e mirë, e tani janë kthyer këtu. Dyshimi është që ka ndodhur pas këtij ushqimi. Kanë një menu ditore për çdo vakt. Ushqimi është i standardeve shumë të mira, mund të ketë pasur ankesa për llojshmërinë, por ushqimi është jashtëzakonisht i mirë. Ne nuk kemi pasur asnjë lloj problem helmimi deri më sot që flasim.
Kemi njoftuar AKU dhe Shëndetin Publik që kanë marrë mostrat, sepse ushqimi këtu vjen në formë kateringu. Ne këtu mbajmë edhe mostrat, kemi komision që e pret bashkë me mjekun, mbajmë mostrat të ruajtura 24 orë, për raste kur ndodhin këto incidente. Rasti i parë është ky, më duket në 2016 ka qenë një rast.

Kjo kontratë me kompaninë është e re, por kemi pasur edhe të mëparshme. Po presim të dalin aktet e analizës, kemi thirrur Shëndetin Publik që kanë ardhur përsëri për të marrë analizat e studentëve për të parë si është ecuria e tyre, ka qenë formë e lehtë.  Puna vazhdon normalisht, shkolla dhe furnizimi i vakteve. Gjendja e tyre është shumë e mirë tani. Ushqimi gatuhet në një vend tjetër, jo në akademinë e sigurisë, atje ku ka licencimin kompania. Tre vakte përditshme, mëngjes drekë dhe darkë”, tha ai./ Zoom.al

Postime të lidhura