zoom

Lajme

E mori kushërira e tij, Adriatik Lapaj ankimon në KAS vendimin e KQZ: Ma jepni mua mandatin

E mori kushërira e tij, Adriatik Lapaj ankimon në KAS vendimin e KQZ: Ma jepni mua mandatin

Partia “Shqipëria Bëhet”, e drejtuar nga Adriatik Lapaj, ka depozituar një ankesë pranë Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), ku kundërshton vendimin e KQZ-së që i kaloi mandatin e deputetit Kleana Xhuvelit, kushërirës së kryetarit të partisë.

Në kërkesën drejtuar KAS, kjo forcë politike argumenton se vendimi bie ndesh me qëndrimin zyrtar të paraqitur më herët nga partia, sipas të cilit dorëheqja e disa kandidatëve, përfshirë edhe Kleana Xhuvelin, ishte zyrtarizuar dhe duhet të njihej nga KQZ.

Sipas “Shqipëria Bëhet”, në mungesë të Kleana Xhuvelit, mandati duhet t’i kalonte Adriatik Lapajt, si kandidati pasues në listë, i cili nuk është tërhequr dhe ka marrë mbështetje të gjerë qytetare.

Në ankesën drejtuar KAS, kërkohet:

  1. Ndryshimi i vendimit të KQZ të datës 23 korrik 2025 për shpalljen e kandidatëve fitues në Qarkun Tiranë;
  2. Mosnjohja e revokimit të dorëheqjeve të Zeqir Kordhonit (15 korrik) dhe Kleana Xhuvelit (17 korrik);
  3. Shpallja si fitues e Adriatik Lapajt nga lista shumemërore në bazë të votave parapëlqyese;
  4. Miratimi i renditjes së mëtejshme të kandidatëve në listë duke respektuar përparësinë sipas votave dhe kriterin gjinor.

Tashmë pritet që KAS të shqyrtojë çështjen dhe të japë një vendim përfundimtar mbi mandatin e deputetit që do të përfaqësojë Qarkun Tiranë në Kuvend.

Postime të lidhura